Zbulohet shtatorja e Ilaz Kodrës në Drenas
Sot në Drenas, në praninë e zyrtarëve të lartë të institucioneve, kryetarit të Komunës, Bekim Jashari, nënkryetarit Nuredin Lushtaku, kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, gjeneralëve të Ushtrisë së Kosovës, shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarëve, dhe një numri të madh të qytetarëve, është bërë zbulimi i shtatores së komandantit Ilaz Kodra, në 20-vjetorin e rënies së tij, 40 dëshmorëve dhe 278 martirëve të kombit.
Kryetari Jashari në fjalimin e tij në manifestim, ka thënë se liria e vendit ishte e shtrenjtë, e paguam me çmim të lartë në një luftë të pabarabartë karshi një okupatori djallëzor.
Fjala e Bekim Jasharit
Pikërisht në 20 vjetorin e rënies së tij, kemi zbuluar shtatoren e komandantit Ilaz Kodra, trimit të rrallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shokun e ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, që nga stërvitjet ushtarake të vitit 1991, të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Hamzës dhe shumë bashkëluftëtarëve të tjerë çlirimtarë.
Është ditë e shënuar ky përvjetor, për t’i bërë nder sakrificës së Ilaz Kodrës, për lirinë e Kosovës, si dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve tjerë të kombit.
Ky monument do të lërë përjetë gjurmën e vet ndër shekuj, për pasardhësit tanë, që do ta kujtojnë me respekt sakrificën sublime të Ilaz Kodrës.

Lexo edheVajza e Ilaz Kodrës flet për babin që nuk e takoi kurrë
Në emër të qytetarëve të komunës së Skenderajt, falënderoj kryetarin Ramiz Lladrovci, që mundësoi ndërtimin e shtatores!
Dita e sotme ka nisur me homazhe te busti i Ilaz Kodrës, tek Kulla e tij në Prekaz, bashkë me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, bashkëluftëtarët e Ilazit dhe familjarët, për t’i shprehur nderim sakrificës së tij, për lirinë e Kosovës.
Homazhe gjithashtu kemi bërë edhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, në nderim të 40 dëshmorëve dhe 278 martirëve të Drenicës, në Shtuticë, te Kompleksi i Dëshmorëve, si dhe në fshatin Verbofc.
Kemi qenë të nderuar të marrin pjesë edhe në zbulimin e Lapidarit në kujtim të të rënëve të Çirezit, për nder të Zymer Feratit, Aziz Feratit, Osman Salihut, Lulzim Feratit, Lutfi Salihut e Isuf Feratit.
Lavdi e përjetshme komandantit Ilaz Kodra, lavdi dëshmorëve tjerë dhe martirëve të kombit!














