Isa Xhemajlaj, zyrtar i Nismës, ka thënë se Shyqiri Bytyqi, ministri në dorëheqje i Arsimit, dha dorëheqje nga Nisma “pasi mori mazën”.
Bytyqi pas mandatit si ministër u largua nga Nisma me akuza se ka pasur presion në punën e tij. Ai së fundmi u zyrtarizua te Partia Socialdemokrate. Largimin e tij me akuza për presion, Xhemajlaj e ka quajtur veprim të pasinqertë.
“Nuk e di se çfarë presioni ka pas. E di që e kemi marrë si djalë të panjohur, i kemi dhënë mundësinë të bëhej ministër. Ka aktivistë që kanë bërë aktivitet në parti tjera për 20 vjet e s’janë bërë. Kanë partitë njerëz të kualifikuar. Ne për dy vjet ia kemi dhënë mundësinë të bëhej, kjo me qëllim që të inkurajojmë të rinjtë se ne ua hapim dyert. Pse s’e ka deklaruar presionin politik para dorëheqjes. Pse nuk u largua më herët. Populli thotë ‘e mori mazën dhe pastaj iku’. Përfundoi krejt mandati e del në fund se jo s’paska bërë partia. Është dashtë të ishte i ndershëm të thoshte se jap dorëheqje se kam presion. Jam i bindur se s’ka pas kurrfarë presioni”, ka thënë Xhemajlaj.
Ai ka përmendur edhe dështimin që Bytyqi kishte pësuar në garën për kryetar të Prishtinës, duke marrë rreth 600 vota.
“E kemi kandiduar edhe për Prishtinë por mori vota treshifrore. S’e kemi ndëshkuar”, ka thënë tutje ai.
Xhemajlaj ka thënë se largimi i Bytyqit u bë për arsye personale e për shkak të pazareve politike.
“Për arsye krejt personale. Jemi në një ambient ku bëhen shumë pazare. Politike e individuale. Kur t’i shkel parimin e kalon për arsye personale, askush s’mund të ndalë. Varet nga parimet e njeriut. Vetë dorëheqja e tij ishte befasuese sepse ia kemi dhënë mundësinë. S’ka pas asgjë mangu te Nisma”, ka deklaruar Xhemajlaj.
Sipas Xhemajlajt, i njëjti rast vlen edhe për ish-ministrin e Tregtisë, Bajram Hasani.
“I njëjti rast. Isha zëvendësministër. Asnjë lloj presioni, as nga partia ime, e as nga tjerat s’më është bërë. Nëse të bëhet presion, pse po deklarohen pas dorëheqjes. Këtu tregojnë se s’janë të sinqertë. Po të isha unë, do të tërhiqesha pa më skaduar mandati. Sigurisht për shkak të veprimeve tjera, është larguar. S’kemi qenë të kënaqur me punën e tij”, ka shtuar ai.