Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë arritur përafrim me njëra-tjetrën, për të qeverisur së bashku në mandatarin e ardhshëm qeverisës.
Burime të Gazetës Blic, brenda dy partive politike, kanë bërë të ditur se janë shumë afër pajtueshmërisë me njëra-tjetrën.
Sipas marrëveshjes që pritet të finalizohet mes tyre, posti i kryeministrit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje, konkretikisht kryetarit të saj, Albin Kurti. Kurse, ai i kryetarit të Kuvendit, do të rezervohet për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ky burim i Gazetës Blic, ka bërë të ditur se numri i ministrive do të jetë gjithsejt 15, teksa ndarja e tyre do të bëhet 6 për Vetëvendosjen dhe 6 për LDK-në.
Ndërsa, tri ministri do të rezervohen për komunitetet joshqiptare në Kosovë.
Nënshkrimi formal i kësaj marrëveshje do të bëhet nesër (e diel), teksa pritet që të dy kryetarët e partive të dalin në konferencë të përbashkët me gazetarë.
Votimi i qeverisë, pritet të bëhet të hënën me datë 3 shkurt, ku seanca konstituive do të fillojë në orën 11:00.
Pengesë për këtë marrëveshje, ishte bërë mospajtueshmëria për postin e kryetarit të Kuvendit, të cilin aktualisht e mban Glauk Konjufca.
VV dhe LDK janë pajtuar që Konjufca të jap dorëheqje nga ky post, në mënyrë që të arrihet koalicioni mes tyre.
Kurse, gjatë ditës së sotme, krerët më të lartë të Lidhjes Demokratike, janë takuar së bashku, ku kanë diskutuar për arritjen e koalicionit.
Pas takimit, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se po angazhohen për marrëveshje të balancuar. Ka kërkuar nga Albin Kurti të mos e fusë Listës Sprksa në Qeveri.
“Ky angazhim është në funksion të arritjes së marrëveshjes”, ka thënë Haziri.
Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se s’ka marrëveshje me Vetëvendosjen pa u balancuar pushteti në Parlament. Tek kur të arrihet marrëveshja për të liruar pozitën e Kryetarit të Kuvendit, Haziri ka paralajmëruar mundësinë e votimit të Qeverisë Kurti.
“Edhe më tutje kemi nevojë me diskutu. Nuk është përballu ende ky dallim. Angazhimi dhe përballimi dhe tejkalimi i kërkesave partiake janë të domosdoshme për koalicione politike”, ka thënë ai.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili kërkoi nga LDK që të bashkohet në qeveri, por bëri të qartë se nuk do të heqin dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit.
“Kur kanë mbetur vetëm edhe pak kohë deri në votimin e Qeverisë Kurti, e ftoj LDK-në që të bëhet e arsyeshme dhe fleksibile për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, ka shkruar Bahtiri.
Tutje Bahtiri ka shkruar se kthimi para 26 dhjetorit nuk është i mundshëm.
“Kthimi para datës 26 dhjetor nuk është i mundshëm dhe as i arsyeshëm, sepse Kuvendi i Kosovës ka kryetarin më të denjë të zgjedhur që prej themelimit të tij. Kosova nuk ka kohë për inate politike dhe eksperimete me pozita pëmes dorëheqjeve dhe emërimeve”, ka shkruar Bahtiri.
Të hënën pritet të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria e re
Ndërsa, Albulena Haxhiu paralajmëroi pak më parë se shumë shpejt pritet takimi mes Kurtit dhe Mustafës.