BallinaLajmeVrasja në Skenderaj, krejt çfarë dihet deri më tani

Vrasja në Skenderaj, krejt çfarë dihet deri më tani

Një vrasje ka ndodhur sonte në fshatin Baks të Skenderajt, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person, teksa kanë mbetur të plagosur edhe dy të tjerë.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar dhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana.

Pllana në një prononcim për Insajderin tha se pas një mosmarrëveshje në mes tre personave ka pasur të shëna me armë zjarri ku kanë mbetur të plagosur dy persona dhe një i vdekur.

Sipas burimeve, Insajderi mëson se personi i cili ka mbetur i vrarë është Besim Musliu.

Ndërsa dy të plagosurit janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm. Në një prononcim për Insajderin mjekja kujdestare, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dafina Basholli ka treguar për gjendjen e tyre.

”Gjendja e tyre është e mirë, stabile janë duke marr trajtimin mjeksor”, tha ajo për Insajderin.

Në lidhje me rastin në disa portale është raportuar emri i Xhevdet Rexhepi si personi që qëlloi kushëririn e tij.

Xhevdet Rexhepi ka kontaktuar Gazetën Insajderi për të treguar se nuk është ky personi për të cilin është duke u raportuar.

Ai tha se ka qenë në punë dhe se nuk ka të bëjë asgjë me vrasjen në Skenderaj.

“Unë kam qenë në punë, nuk e di pse është emri im në disa portale nuk kam të bëjë me rastin i kam kojshi po nuk di asgjë në lidhje me rastin”.

Në vendin ku ndodhi krimi, kanë dalë njësitet policore bashkë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar që të kryhen bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri – një kallashnikov që dyshohet se u përdor në rast dhe një pushkë gjuetie.

Ndërkohë policia është njoftuar se një person tjetër kishte kërkuar tretman mjekësor në QKMF në Drenas dhe pas trajtimit fillestar mjekësor, në shoqërim të policisë është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në SHSKUK dhe është nën përcjelljen e policisë pasi që sipas informatave fillestare mund të jetë i dyshuar potencial në këtë rast.

Sipas Policisë, gjithashtu është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast.

Njësia e hetimeve Rajonale ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka sekuestruar dy armë: një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie. Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, thuhet në komunikatën e PK-së.