Vrasja e 80-vjeçares, Gërvalla: Përballë dhunës nuk mund të heshtim

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka dënuar fuqishëm rastin e rëndë të vrasjes së një gruaje 80-vjeçare, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Gërvalla ka thënë se dhuna ndaj grave mbetet një alarm për të gjithë shoqërinë dhe se ndaj rasteve të tilla duhet të ketë reagim të qartë institucional dhe shoqëror.
“Dhuna ndaj grave është alarm për të gjithë shoqërinë. Përballë saj nuk ka vend për heshtje. Përballë këtij alarmi, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë dhe e prerë: ZERO TOLERANCË. Sot, një tjetër grua ka humbur jetën. Një nënë në të 80-at, një motër, një pjesëtare e një familjeje, sot nuk është më mes nesh. Ajo dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se asnjë rrethanë, arsye apo marrëdhënie nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj një gruaje dhe aq më pak marrjen e jetës së saj.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë ka bërë thirrje që çdo rast i dhunës të raportohet dhe që të ketë reagim të menjëhershëm ndaj çdo shenje që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e viktimave.
“Përballë dhunës nuk mund të heshtim. Nëse dimë për një rast, dëgjojmë një thirrje për ndihmë, nëse vërejmë shenja që na shqetësojnë, duhet të veprojmë. Një telefonatë mund të shpëtojë një jetë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e përdorimit të mekanizmave institucionalë për raportimin, reagimin dhe mbrojtjen e viktimave.

Lexo edheReagon motra e Jetlirës: Mos e ktheni dhimbjen tonë në thashetheme për xhelozi e tradhti
“Asnjë rast dhune nuk është ‘çështje familjare’. Çdo kërcënim, keqtrajtim dhe çdo shenjë dhune duhet të raportohet. Sot kemi mekanizma të fuqishëm për raportimin, reagimin dhe mbrojtjen e viktimave. T’i përdorim. Të mos e lëmë askënd vetëm përballë dhunës”, ka deklaruar Gërvalla.
Në fund, ajo u ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të viktimës.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Humbja juaj është edhe humbja jonë. Dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë. Në këto momente të vështira jemi pranë jush me gjithë zemër”, ka thënë Gërvalla. /Lajmi.net/












