Reagon motra e Jetlirës: Mos e ktheni dhimbjen tonë në thashetheme për xhelozi e tradhti

Familjarët e Jetlira Foniqit kanë reaguar pas ngjarjes së rëndë ku ajo humbi jetën, duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe duke bërë thirrje që të mos publikohen versione të pakonfirmuara për motivin e ngjarjes.
Në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, motra e Jetlirës thotë se familja po përballet me një situatë të jashtëzakonisht të dhimbshme dhe shprehet e shqetësuar për shkrimet ku përmenden pretendime për xhelozi apo tradhti si arsye të mundshme të ngjarjes.
Sipas saj, personi i dyshuar kishte jetuar për rreth katër vite në Gjermani dhe, gjatë muajve të fundit, kishte qenë i burgosur atje për tentim vrasjeje. Ajo pretendon gjithashtu se ai kishte qëndruar për rreth një muaj në një spital psikiatrik dhe se mjekët kishin vlerësuar se gjendja e tij mendore nuk ishte e mirë.
Familjarja rrëfen se Jetlira, e cila ishte shtatzënë, ishte përkujdesur për të dhe e kishte shoqëruar në vizita mjekësore, duke tentuar ta ndihmonte edhe me terapinë e përshkruar.
“E në fund, krimineli në fjalë na e mori motrën prej nesh”, thuhet në deklaratë.
Familjarët kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të rastit, duke apeluar që të mos nxirren përfundime apo të përhapen pretendime për motivin e ngjarjes pa u vërtetuar faktet.
Nuk po kërkojmë asgjë tjetër veç të vërtetës dhe drejtësisë për Jetlirën tonë. Ju lutem mos e ktheni dhimbjen tonë në thashetheme e mos nxirrni përfundime për diçka që ende nuk dihet. Për neve Jetlira nuk ka qenë thjesht një emër në një lajm. Ka qenë motra jonë, vajza jonë dhe pjesë e familjes tonë që sot na mungon përgjithmonë.

Lexo edheFamilja e Sali Çekajt mbështet propozimin e Faton Bislimit për postin e presidentit
Reagimi
Përshëndetje, unë jam motra e ndjerës Jetlira Foniqi. Familja jonë është tu e kalu ni situatë shumë të vështirë e të dhimbshme dhe aspak nuk po na e lehtëson dhimbjen fakti që po shohim postime e shkrime të ndryshme ku po përmenden arsye si xhelozia e tradhtia, kur në fakt e vërteta e plotë e asaj që ka ndodh ende nuk dihet.
Personi në fjalë ka qenë në Gjermani për rreth 4 vite. Muajt e fundit ka qenë i burgosur në Gjermani për tentim vrasjeje dhe për afërsisht një muaj ka qenë në spital psikiatrik. Për rreth një javë ka qenë edhe i lidhur, sepse mjekët gjermanë kanë konstatu që gjendja e tij mendore nuk ka qenë aspak mirë dhe kanë pas dyshime edhe për skizofreni. Edhe këtu në Kosovë ka fillu me marrë terapi, sepse nuk ka qenë aspak mirë.
E motra jem, që ka qenë shtatzënë, për një muaj rresht e ka marrë me dorë e vet naper mjekë, i ka nejt afër dhe i ka dhanë kokrrat e terapisë që i kanë përshkru, tu u mundu me e ndihmu.
E në fund, krimineli në fjalë na e mori motrën prej nesh. Na e mori një vajzë, një motër, një nanë që mezi ka prit me mbajt fëmijën e vet në krahë. Sot na ka mbet veç dhimbja dhe një zbrazëti që kurrë nuk ka me u mbush.












