Vlora Çitaku pas vrasjes së rëndë në Gjilan: Asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetë të drejtën për të qenë e lirë
dp·

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Gjilan, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse, të dhimbshme dhe të papranueshme.
Përmes një postimi, Çitaku ka ngritur shqetësimin për dhunën ndaj grave dhe për rrugën që, sipas saj, shoqëria ende duhet të bëjë drejt barazisë së vërtetë gjinore, raporton lajmi.net
Ajo ka theksuar se fuqizimi i grave nuk duhet të matet vetëm me numrin e grave në pozita të larta institucionale, por edhe me mundësinë që ato të jetojnë të lira dhe të sigurta në çdo qytet, fshat dhe familje.
Postimi i plotë:
Tronditëse. E dhimbshme. E papranueshme.
Një grua dhe vëllai i saj u vranë nga bashkëshorti i saj. Dy jetë të këputura. Dy familje të goditura nga një dhimbje e papërshkrueshme.
Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas.
Gratë nuk fuqizohen vetëm në Prishtinë, në zyra e në institucione. Fuqizimi nuk matet vetëm me numrin e grave në pozita të larta. Gruaja është vërtet e barabartë dhe e pavarur vetëm atëherë kur e ka këtë të drejtë në çdo qytet e në çdo fshat, në çdo familje e në çdo rrethanë. Kur mund të jetojë e lirë, pa frikë, pa kërcënime dhe pa dhunë.
Dhe mbi të gjitha, kur shoqëria nuk kërkon motive për ta shpjeguar dhunën, nuk e fajëson viktimën dhe nuk e relativizon krimin.
Asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën. Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen. Dhe asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë.
Sa e rëndë. Sa tronditëse. Sa shumë dhimbje.
Dhe sa shumë arsye për revoltë.
Dhimbje pafund për viktimat dhe familjet e tyre./Lajmi.net/

Lexo edheRa nga skela teksa punonte, humb jetën 49-vjeçari shqiptar në Selanik












