Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore, ajo dhe Albin Kurti kishin nënshkruar një zotim ku thuhej se numri i ministrive mund të shkojë deri në 15.
Ani pse pas zgjedhjeve ata u dakorduan për 12, Osmani thotë se kjo nuk nënkupton ndonjë shkelje premtimi, pasi thotë se të shkruar kanë zotimin për deri në 15, shkruan Reporteri.net
Rritja e numri të ministrive, sipas Osmanit, ka ardhur pasi ekspertët kanë konsideruar se disa ministri bëhen shumë të gjera dhe të pamenaxhueshme.
“Natyrisht që gjatë fushatës zgjedhore, edhe unë edhe zoti Kurti si kandidatë për kryeministër, kemi nënshkruar një zotim para qytetarëve dhe shoqërisë civile, që nuk do ta rrisim numrin e ministrive mbi 15. Pra premtimi me shkrim, është që mund të shkojmë deri tek numri 15. Ndërkohë kemi provuar që ta ngushtojmë këtë numër, megjithatë, është analizuar nga eksperët se një fuzionim i tillë duke lënë disa ministri shumë të mëdha, i bënte ato jofunksionale. Në mënyrë që të realizohet ky funksionalitet i ministrive, është vendosur që numri të rritet në 15”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë, ajo nuk ka folur shume për emrat e mundshëm që mund të udhëheqin me dikasteret që iu kanë ndarë LDK-së. Ajo thotë se në Këshill të Përgjithshëm do të diskutohet vetëm në parim për marrëveshjen.
“Siç dihet, kryeministri i takon VV-së, ndërkaq edhe pse dihet se i takon VV-së, ata do të propozojnë një emër të LDK-së. Sot do të flasim vetëm në parim për marrëveshjen, ndërkohë që për emra do të ulemi gjatë ditës dhe të flasim”, ka shtuar ajo.
Sidoqoftë, në takimet e para të Albin Kurtit me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin, ishte thënë se qeveria e re do t’i ketë 12 ministri, dhe rritja e numrit të tyre erdhi si propozim i Kurtit për të zgjidhur nyjen e krijuar së fundmi.