Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se pas dështimit të dy procedurave për blerjen e Avastinës, së fundmi është përfshirë versioni i fundit i këtij bari në listën e çmimeve të barnave në Kosovë, duke thënë se pritet që shumë shpejt ai të jetë në dispozicion të pacientëve.
Vitia ka thënë se mungesa e Avastinës ka ardhur pas dështimit të dy procedurave të prokurimit, për shkak të çmimit të lartë dhe mungesës së operatorëve ekonomikë që do të konkurronin në këto procedura.
“Po, kemi pasur problem me Avastinën. Ju, siç e dini, ka një kohë tash që ka hyrë në fuqi ligji për tavanin e çmimeve të barnave. Dhe tani më, dy herë në dy procedura që janë hapur për t’u blerë Avastina, kanë dështuar për shkak të çmimit tepër më të lartë ose mungesës së operatorëve ekonomikë për të konkurruar në këto procedura. Nga ana tjetër, kemi pasur edhe disa mungesa të tjera për shkak se, sipas ligjeve aktuale, barnat të cilat nuk kanë pasur autorizim marketingu, nuk kanë mundur të blihen, pak çka që kanë qenë shumë të nevojshme te ne. Por kjo nuk është faj i shtetit, sepse disa kompani farmaceutike nuk e shohin tregun e Kosovës si treg të tillë për me i regjistruar këto barna”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë hapa për të mundësuar furnizimin edhe me barna që nuk kanë autorizim marketingu në Kosovë, ndërsa për Avastinën tha se është ndërmarrë një hap i ri pas dështimit të procedurave të prokurimit.
“Për këtë arsye, para dy-tre muajsh kam nënshkruar udhëzimin e ri administrativ, i cili u hap rrugë edhe këtyre barnave që të merren me leje të përkohshme nga secila kompani, në mënyrë që të vijnë te ne. Dhe po ashtu për Avastinën, para një jave, tashmë pas dështimit të dy procedurave, kemi nënshkruar edhe me versionin e fundit nga lista e çmimeve në listën e çmimeve të barnave në Kosovë dhe besojmë që shumë shpejt Avastina do të jetë këtu te ne”, tha ai.
Vitia ka folur edhe për ndryshimet në trajtimin e pacientëve me kancer të gjirit gjatë viteve të fundit, duke theksuar investimet në pajisje dhe barna.
“Para 5-6 viteve, problemi kryesor edhe që kemi pasur takime të shumta me gratë e prekura nga kanceri i gjirit, ka qenë mungesa e akseleratorëve si duhet dhe ka qenë listë e gjatë e pritjes për trajtimin e radioterapisë. Janë blerë dy akseleratorë të rinj, njëri me CeRAT, i vetmi në rajon, dhe tashmë nuk është ky problem”, tha ai.

Lexo edhe“Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”/ Arrestimi i Vlora Hysenit dhe roli i SPAK, Rama për median gjermane: Që nga 1912, asnjë ministër…
Sipas Vitisë, buxheti për Onkologjinë është rritur nga 8 milionë në 42 milionë euro, ndërsa në listën e barnave janë përfshirë edhe barna inovative.
“Para 6-7 viteve e 5-6 viteve, problem kryesor ka qenë mungesa e disa barnave inovative të reja, të cilat kanë munguar dhe është dashur që shumica e pacientëve tanë të dalin jashtë shtetit për t’i blerë ato barna, sepse buxheti ka qenë 8 milionësh. Sot buxheti është 42 milionësh për onkologji dhe këto barna ekzistojnë. Tash janë disa mungesa të cilat janë akoma, po ideja pse i përmenda të gjitha këto, është se do të ketë kërkesa vazhdimisht. Dhe vazhdimisht ne, bashkë me shoqatat, bashkë me pacientët, bashkë me klinikat, do t’ju rrimë gati që këto kërkesa të adresohen dhe unë jam shumë i lumtur që vazhdimisht ka kërkesa të tilla, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës t’i dalin zot secilës grua e cila përballet me këtë sëmundje”, tha ai.
Ministri Vitia tha se pavarësisht investimeve të bëra, institucionet nuk duhet të vetëkënaqen, pasi kërkesat për përmirësimin e shërbimeve onkologjike do të vazhdojnë.
“Po e gjithë ideja është që do të ketë kërkesa të tjera, mirë që ka kërkesa të tjera. E mira është ajo dhe që i vë vulë kësaj pune, ajo që tha doktor Iliri, që avancimi i kësaj klinike mbrapa, me investime në barna të listës esenciale nga 8 në 22 milionësh, me dyfishim të kapaciteteve nga 45-50 shtretër në 110 tani, me dy akseleratorë të rinj, me barna të tjera inovative të cilat janë investuar, e kanë ngritur klinikën në këtë nivel. A është kjo e mjaftueshme dhe a do të vetëkënaqemi me këtë punë? Natyrisht se jo, sepse është detyrë e jona, është insistimi i vazhdueshëm i shoqatave në këtë rast zonjës Nafije dhe ne si institucione na bën edhe më të ndërgjegjshëm që në mënyrë sa më të shpejtë edhe kërkesat e tjera të adresohen dhe të zgjidhen siç janë zgjidhur ato kërkesa qysh i kanë pasur, qysh e thashë para 5-6 vjetëve, e në fillim kanë qenë të pamenduara se do të arrijnë në nivelin që jemi sot”, tha ai.













