Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se takimi me kryeministrin Albin Kurti ka përfunduar pa arritje të një marrëveshjeje.
Pas takimit që zgjati rreth dy orë, Hamza ka thënë se megjithatë mbetet e hapur mundësia për një takim tjetër mes palëve gjatë ditëve në vijim, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, në këtë fazë fokusi kryesor duhet të jetë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa diskutimet për zgjedhjen e Presidentit do të zhvillohen më pas.
“Nuk ka marrëveshje, por nuk e përjashtoj mundësinë për takime në ditët e ardhshme. Prioritet është ndryshimet për Ligjin për Specialen. Aprovimi i ligjit, pastaj diskutojmë për presidentin”, ka thënë Hamza pas takimit.
Hamza fillimisht nuk është prononcuar për media pasi ka dalë nga objekti i Qeverisë. Ai ka dhënë deklaratën për gazetarët pasi ka arritur në selinë e PDK-së.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e Presidentit të ri, në të kundërtën vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme./lajmi.net/