Ka përfunduar pa incidente protesta “Jo në emrin tim”, e cila për të 17-tën natë me radhë u mbajt në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbeu”, prej nga protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë marshimit, ata mbanin pankarta me mesazhin “Jo në emrin tim” dhe kërkuan që të procedohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, transmeton lajmi.net.
Para objektit të Ministrisë së Drejtësisë ishtvendosur edhe një kordon policor. Gjatë protestës, në një moment u hodhën mjete piroteknike, por protesta përfundoi pa raportime për incidente të tjera.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, kërkoi nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të procedojë ligjin për Specialen.

“Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK-së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, ka thënë Haziri.
Protestat janë zhvilluar çdo natë pas vendimit të Dhomave të Specializuara për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tyre edhe në ditët në vijim./lajmi.net/