Vdekja e Raif Aliut në fabrikën e tij në Drenas, Policia jep detaje

Një person ka pësuar lëndime trupore në vendin e tij të punës në një kompani private në Drenas.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të Policisë, të cilët kanë thënë se ai është dërguar për trajtim mjekësor, dhe nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete.
Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
“Fsh. Korroticë e Epërme, Gllogoc 20.10.2026 – 16:01. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ka pësuar lëndime trupore në vendin e tij të punës në një kompani private. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport i Policisë.
Viktima e këtij rasti është Raif Aliu nga fshati Likofc i cili ka ndërruar jetë derisa po punonte në fabrikën e tij.

Lexo edheDy komisione parlamentare mblidhen sot, në fokus ndryshimet buxhetore dhe plani i punës
Ngushëllime për vdekjen e tij ka shprehur edhe kryetari i komunës, Sami Lushtaku.
“Raifi ishte njeri fjalëpak, i urtë dhe punëtor i madh. Si njeri i një familje të respektuar ai vetën e dëshmoi me punë, sjellje dhe respekt për të tjerët. Sot Likofci dhe të gjithë ata që e njohën e përjetojnë rëndë këtë lajm të hidhur” shkroi Lushtaku në postimin e tij.
Nga ana tjetër, familja Aliu ka bërë me dije se mbi varrimin do të dalin me një njoftim, porsa të kryhet obduksioni nga IML-ja. /Lajmi.net/












