Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas rastit të vdekjes së dy punëtorëve gjatë së hënës në vendin e punës në Gjakovë dhe një tjetri i cili ishte lënduar në një aksident tjetër në vendin e punës në Pejë.
Ky institucion ka bërë apel për “ndërgjegjësim publik dhe institucional”.
“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi.
“Në vazhdën e përpjekjeve të pandërprera për të krijuar një ambient pune sa më të sigurt dhe dinjitoz për punëtorët në Republikën e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin edhe më tej të kapaciteteve inspektuese, përmes procedurave të rekrutimit të inspektorëve të rinj”.
“Në këtë kuadër, është zhvilluar një procedurë për rekrutimin e 60 inspektorëve të rinj , e cila është anuluar nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Pavarësisht kësaj pengese administrative, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka ndalur përpjekjet dhe aktualisht është në proces të për rekrutimin e 59 inspektorëve të rinj në të cilën procedurë kanë përfunduar të gjitha vlerësimet e kandidatëve”.
“Me shpresë dhe përkushtim të plotë, synimi ynë është që kësaj radhe të finalizohet me sukses rekrutimi, në mënyrë që të rritet prezenca dhe efikasiteti i inspektorëve në terren, dhe të përmirësohet dukshëm mbikëqyrja dhe zbatimi i legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagimin e Inspektoratit Qendror të Punës./Indeksonline/