Ishte diagnostikuar gati dy vjet më parë me kancer. Për sëmundjen mori vesh në Beograd, pasi një gjë e tillë nuk ishte e mundur të bëhet në Kosovë. Valdet Zeqiraj provoi të shërohet edhe në Turqi, ku iu kërkuan shuma marramendëse të parave. Betejën me sëmundjen e rëndë ai e humbi më 4 mars, ndërsa sot u bë varrimi i tij, në praninë e familjarëve dhe miqve. Valdeti la pas një motër 11-vjece, dhe një vëlla. Express të martën ka biseduar me familjarët rreth trajtimit shëndetësor që ai kishte marrë në Kosovë dhe rreth thirrjeve për ndihmë financiare për të.
Qindra persona ishin mbledhur pasditen e së martës në varrezat e fshatit Studenicë të Komunës së Istogut. Ata në mes lotësh e dhimbjesh i dhanë lamtumirën Valdet Zeqirajt, 27-vjeçar, i cili para tre ditëve humbi jetën pas betejës me kancerin. Gazeta Express, të martën ka qëndruar në shtëpinë e të riut istogas, ku ka biseduar me familjarët për trajtimin që djali i tyre ka marrë në Kosovë.

Valdet Zeqiraj me sëmundjen e kancerit u diagnostikua në vitin 2016. Familja Valdetin për këtë e kishte dërguar në Beograd pasi sëmundja nuk mund të diagnostikohej në Kosovë.
Një biopsi e tretë e kryer atje ka treguar për gjithë gjendjen shëndetësore të tijën.
I riu fillimisht kishte nisur të trajtohet në Klinikën e Hematologjisë së QKUK’së. Aty të gjitha barnat familjarët duheshin t’i sigurojnë vet.
Veton Zeqiraj, djali i axhës së Valdetit të ndjerë, ka dhënë detaje për Express rreth trajtimit që kushëriri i tij kishte marrë.
“Gati para dy viteve Valdeti e ka pas këtë problem. Diagnostikimin ai nuk ka arritur që ta bëjë as në Prishtinë e as në Tiranë. Në korrik të vitit 2016 në Beograd ku i është bërë një biopsi e tretë dhe i ka dhënë ni diagnostikim. Trajtimet pastaj i kemi kryer në Hematologji. Aty Valdeti i ka përfunduar afro 16 kimioterapi, ndërsa pjesa tjetër e trajtimit është bërë kohë pas kohe”, ka thënë i afërmi i tashmë së ndjerit.
Familja kërkonte shërim jashtë vendit për Valdetin, ministria i dha 23 mijë euro
Për gjithë trajtimin e Valdetit jashtë vendit duheshin 160 mijë euro. Pas kërkesës së familjes Zeqiraj në Ministrinë e Shëndetësisë për ndihmë financiare, MSH i ndau 23 mijë e 700 euro.

Një terapi për Valdetin kushtonte prej 700 deri në 1 mijë euro. Megjithëkëtë sëmundja e 27 vjeçarit pavarësisht terapive po avanconte. Familja kishte bërë kërkesë për të trajtimit shëndetësor me mjete financiare në Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që Valdetin ta dërgojë për shërim në Turqi
“Në dhjetor të vitit të kaluar (2017) sërish kemi bërë kërkesë në klinikën e Hematologjisë dhe kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ndihmë me mjetë financiare. Ato i kanë ndarë mjetet por sëmundja e tij avancoi dhe ne vendosëm që djalin ta dërgojmë në Turqi”, rrëfen Vetoni, djali i axhës së Valdetit të ndjerë.
Në spitalin Turk familjes së Valdetit i ishin kërkuar rreth 160 mijë euro për trajtimin e sëmundjes. Këtë shumë financiare familja e kishte të papërballueshme. Andaj me anë të një kërkese publike familjarët vendosën që të kërkonin mjete financiare nga qytetarët.
“Fillimisht në bazë të faturave preliminare, ata kanë kërkuar që t’i kenë 50 mijë euro, por ata nuk e dinin saktë se sa do të kushtojë trajtimi i mjaftueshëm. Pas kësaj ne e morëm një aksion këtu tek familjarët dhe vendosëm ta dërgojmë para dy javëve, me datë 19 Valdeti ka udhëtuar për Turqi. Ne e kishim ba kërkesën në MSH ata i kishin nda mjetet afërsisht rreth 23 mijë e 700 euro. Por ne kur kemi shku në Turqi ne e kemi kuptu se i gjithë shërimi mund të kushtonte deri në 160 mijë euro. Ne këto nuk mund t’i mbulonim vet, andaj e kërkuam ndihmën prej qytetarëve me shpresë që Valdeti po e kalon këtë sfidë, por fatkeqësisht nuk e kaloi”, tregon tutje djali i axhës së Valdetit të ndjerë.

E familja Zeqiraj, pas vdekjes së Valdetit i falënderon qytetarët për ndihmën e ofruar. Por ata kanë një porosi për institucionet e shëndetësisë kosovare.
“Nuk është vetëm djali jon që shkoi. Në këso raste po dëgjojmë cdo ditë. Duhet të bëjmë çmos që shëndetësia në Kosovë të përmirësohet në mënyrë që me ia dal, sepse kjo është një luftë e rë me të cilën po përballemi. Fatkeqësisht ne me Valdetin nuk ia dolëm, ai shkoj në Amshim. Shpresojmë që tash të jetojë i qetë. Ne i falënderojmë qytetarët dhe institucionet për kontributin që ata e kanë dhënë për shërimin e Valdetit”, rrëfen familjari i së ndjerit./GazetaExpress/