Avokati Millosh Delleviq, mbrojtës i të pandehurit Vladimir Toliq në rastin e Banjskës, ka deklaruar se klienti i tij është fajtor, por jo për veprën e terrorizmit, siç e cilëson Prokuroria.
Sipas Delleviqit, gjykata duhet të refuzojë kualifikimin e veprës si terrorizëm, pasi, sipas tij, “nuk ka elemente që e mbështesin këtë cilësim”. Ai theksoi se Toliq nuk është i pafajshëm, por përgjegjësia e tij nuk lidhet me terrorizmin, shkruan Indeksonline.
“Vladimir Toliq është padyshim fajtor, por gjatë shqyrtimit të dënimit besojmë se ekzistojnë rrethana lehtësuese”, u shpreh avokati.
Ai përmendi si faktorë lehtësues gjendjen familjare të të pandehurit, duke theksuar se Toliq është prind dhe se fëmijët e tij po rriten pa të. Po ashtu, sipas tij, klienti ka kaluar dy operacione dhe ka probleme shëndetësore.
Delleviq shtoi se pret që dënimi eventual të jetë rreth 10 vite burgim.
Në anën tjetër, vetë Toliq është deklaruar i pafajshëm për akuzat për terrorizëm, duke insistuar se “duart e tij nuk janë me gjak”. Ai ka shprehur dëshirën që t’i kthehet familjes dhe fëmijëve të tij.