Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit

Universiteti i Prishtinës nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit me qëllimin e nxitjes dhe forcimit të partneriteteve dhe bashkëpunimit institucional.
Nëpërmjet memorandumit është paraparë krijimi i një kornize të bashkëpunimit të ndërsjellë për zhvillim të infrastrukturës e transportit dhe planifikimit territorial e urban.
Universiteti i Prishtinës do ta ndihmojë ministrinë me ekspertizë akademike të projekteve publike dhe ngritje të kapaciteteve profesionale e shkencore.
Universiteti dhe ministria së bashku do të përgatisin edhe projektet strategjike me financim vendas dhe ndërkombëtar.

Lexo edheIlir Deda paralajmëron se pakënaqësitë në LDK mund të shtrihen edhe në degë të tjera
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.
Të pranishëm gjatë takimit dhe ceremonisë së nënshkrimit ishin edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, drejtuesja e Qendrën për Inovacion, Laborator dhe Teknologji (QILT) në Fakultetin e Arkitekturës, prof. Arta Jakupi, ndërsa ministri Basha erdhi i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Bajrush Rrahmani, këshilltari politik, Shkëmb Isufi dhe asistentja ekzekutive, Doruntina Xhemajli.
Në vazhdën e angazhimit për të mirën e përgjithshme publike, përveç me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Universiteti i Prishtinës ka lidhur marrëveshje të ngjashme edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.














