Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes vendit të tij dhe Japonisë, potencialisht duke u dhënë fund bisedimeve me tensione mes dy aleatëve, të cilat kishin shkaktuar paqartësi në Tokio dhe kishin sjellë spekulime për të ardhmen e kryeministrit Shigeru Ishiba.
“Ne porsa kompletuam një marrëveshje masive me Japoninë” – njoftoi Trumpi në internet, duke shtuar: “Japonia do të investojë, nën drejtimin tim, 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara”.
Ishiba tha se negociatori japonez për taksa i kishte pranuar hollësitë e marrëveshjes dhe se ai do t’i ekzaminonte ato para se të reagonte. “Shqetësimi ynë më i rëndësishëm është interesi i vendit” – tha ai.
Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale të martën në mbrëmje, Trumpi tha se importet japoneze do të ballafaqohen me 15 për qind taksë, përmirësim nga taksa prej 25 për qind të cilën ai kishte kërcënuar se do ta zbatonte nga 1 gushti.
Nuk ishte e qartë se me çfarë takes do të ngarkohen importet amerikane në Japoni.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu pretendoi se Japonia do ta hapë tregun e saj për prodhime amerikane, përfshirë veturat, kamionët, orizin dhe produkte të caktuara bujqësore, shumë prej të cilave ishin pika ngërçi gjatë bisedimeve tregtare.