Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi se Irani do të “fshihet nga faqja e dheut” nëse sulmon anijet amerikane që përpiqen të rihapin Ngushticën e Hormuzit.
Paralajmërimi vjen në kohën kur SHBA-ja po zhvillon një operacion detar, për të shoqëruar dhe nxjerrë në mënyrë të sigurt nga zona anijet e bllokuara.
Më shumë se 800 anije dhe rreth 20.000 anëtarë ekuipazhi mbeten të bllokuar në Ngushticën e Hormuzit, e cila është jetike për furnizimin global me naftë.
Duke folur për Fox News më 4 maj, Trump e përshkroi përpjekjen e marinës amerikane si “një nga manovrat më të mëdha ushtarake të bëra ndonjëherë”.
Ai, gjithashtu, tha se Irani është bërë “shumë më fleksibël” në negociatat për paqe, duke shtuar se SHBA-ja ka kapacitete ushtarake më të mëdha se Republika Islamike.
Sipas Uashingtonit, dhjetëra anije tregtare janë ridrejtuar, për shkak të situatës së tensionuar që vazhdon.
Irani, në anën tjetër, paralajmëroi se do t’i sulmojë anijet amerikane që i afrohen ngushticës dhe mohoi pretendimet e SHBA-së se ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane dhe ka kapur raketa e dronë iranianë.
Në një tjetër zhvillim, ministri i Jashtëm i Iranit u bëri thirrje Emirateve të Bashkuara Arabe që të mos anojnë nga “zgjidhja ushtarake” kundër Republikës Islamike.
Në një postim në X më 4 maj, Abbas Araqchi tha se beson se “nuk ka zgjidhje ushtarake” për krizën aktuale.
“Ndërsa bisedimet po përparojnë, falë përpjekjeve bujare të Pakistanit, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshme që të mos tërhiqen përsëri në një moçal nga keqdashësit. Emiratet e Bashkuara Arabe duhet të mbeten gjithashtu vigjilente”, shtoi ai, duke iu referuar përpjekjeve të Islamabadit për të ndërmjetësuar në konflikt.
Që nga fillimi i sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë ndër vendet më të prekura të Gjirit Persik nga sulmet iraniane, të cilat Teherani i përshkruan si përgjigje ndaj fushatës ushtarake SHBA-Izrael.
Një ditë para mesazhit të Araqchit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei, kritikoi “sjelljen e papërshtatshme” të Emirateve të Bashkuara Arabe që nga fillimi i konfliktit, duke thënë se ato janë “lidhur” me agresorët kundër Iranit dhe se kanë krijuar “shumë probleme”.
Media iraniane, gjithashtu, publikoi raporte që pretendojnë se ka një bashkëpunim ushtarak midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke përfshirë dislokimin e sistemeve të përparuara të mbrojtjes ajrore.
Autoritetet e Emirateve thanë më 4 maj se vendi i tyre është nën sulmet iraniane me raketa dhe dronë dhe paralajmëruan se “nuk do të hezitojnë të mbrojnë sigurinë dhe sovranitetin e tyre”.
Autoritetet në portin Fujairah thanë se një sulm me dron goditi një instalim energjie, duke shkaktuar zjarr dhe duke plagosur tre persona.