Trepça jep kontratë prej afro 472 mijë eurosh për reagentë në Leposaviq, 28 kompani morën dosjen por vetëm një dorëzoi ofertë

Trepça SH.A. ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 471 mijë e 917 e 40 euro për furnizimin me reagentë për nevojat e flotacionit në Leposaviq.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është iniciuar më 25 qershor 2026, ndërsa njoftimi për kontratë është publikuar më 26 qershor. Tenderët janë hapur më 6 gusht, kurse njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 10 gusht 2026, shkruan lajmi.net.
Kontrata është nënshkruar më 17 gusht 2026 dhe është lidhur si kontratë publike kornizë me kohëzgjatje prej 24 muajsh.
Vlera e parashikuar fillimisht për këtë kontratë ishte 480 mijë 000 euro, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së nënshkruar është 471 mijë e 917 e 40 euro.

Kontrata i është dhënë Grupit të Operatorëve Ekonomikë “V&V Company D.O.O.; N.P.T. a – com”, me adresë në Zveçan.
Në këtë aktivitet të prokurimit kishin tërhequr dosjen e tenderit 28 operatorë, ndërsa në fund është pranuar vetëm një tender. Sipas dokumentit zyrtar, ky tender është vlerësuar si i përgjegjshëm.

Lexo edheVdes këmbësori i aksidentuar dje në rrugën Prishtinë-Podujevë
Si kriter për dhënien e kontratës është përdorur “çmimi më i ulët”, ndërsa operatori fitues ka ofruar shumën prej 471 mijë e 917 e 40 euro.

Furnizimi do të realizohet për nevojat e flotacionit në Leposaviq, ndërsa kontrata nuk parashikon nënkontraktim.
Kontrata është financuar me mjete vetanake të Trepçës SH.A.
Sipas dokumentit të prokurimit, numri i referencës së këtij aktiviteti është 12997 12998-26-5127-1-1-1, ndërsa kontrata mban numrin 12997 12998-26-5127-1-1-1/C1162. /Lajmi.net/












