Kurti takohet me Joe dhe Shirley DioGuardi: I falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Zyrën e Kryeministrit Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, angazhimin e tyre ndër vite dhe të ardhmen e vendit.
Kurti ka vlerësuar kontributin e çiftit DioGuardi për Kosovën dhe shqiptarët, duke theksuar se ata prej dekadash janë angazhuar në mbështetje të çështjes shqiptare dhe kanë dhënë ide e kontribut të çmuar për vendin, transmeton lajmi.net.
“I falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, ka shkruar Kurti.
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe me anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për angazhimin e tyre dhe aktualitetet në Kosovë, si dhe për të ardhmen e vendit.
Kurti ka veçuar rolin e Joe DioGuardit, ish-kongresistit të parë amerikan me origjinë shqiptare, duke e renditur atë krahas Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel si një prej zërave të hershëm dhe të fuqishëm në mbështetje të Kosovës.

Lexo edhe“Trafiku Urban” anulon tenderin miliona eurosh për furnizim me naftë, kjo është arsyeja
“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA”, ka shkruar Kurti, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e tyre./lajmi.net/












