“Thaçi nuk ka qenë i përfshirë” – Christopher Hill tregon nëse do të dëshmonte sërish në Apel

Në një intervistë për “Now”, foli nga SHBA Christopher Hill, i cili ka qenë i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën dhe njëkohësisht dëshmitar në procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të dëshmonte sërish në apel, në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së, Hill tha se ende nuk i është kërkuar një gjë e tillë dhe se nuk mund të përgjigjet për diçka që nuk i është kërkuar.
“Unë do të përpiqesha të bëja gjithmonë vullnetin e gjykatës, por nuk jam në gjendje të përgjigjem për një gjë që s’më është kërkuar akoma”, tha Hill.
Hill u shpreh se ai e ka dhënë dëshminë e tij me sinqeritet dhe se, bazuar në atë që ka dëshmuar, beson se Hashim Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në situatat e përshkruara nga gjykata.
“Duhet pyetur gjykata pse arriti në këto përfundime. Unë me sinqeritet dhashë dëshminë time dhe besoj sinqerisht që zoti Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në situatat e përshkruara nga gjykata. Ata dolën në një përfundim tjetër dhe duhen pyetur ata pse dolën në këtë përfundim. Unë dhashë dëshminë time me të mirën time, duke rikujtuar situatën e asaj kohe”, tha Hill.

Lexo edhe“Okej” në pankartën e protestës – mesazhi që rikthen përgjigjen e Thaçit pas dënimit me 25 vjet në Hagë
I pyetur nga nëse, tani që vendimi është bërë publik, do të thoshte diçka ndryshe nga ajo që dëshmoi gjatë procesit, Hill tha se nuk e mendon një gjë të tillë, pasi është përpjekur të tregojë të vërtetën dhe shpjegimin e plotë, sipas tij.
“Nuk e mendoj, sepse jam përpjekur të tregoj të vërtetën e plotë, siç mendoj unë, dhe shpjegimin e plotë. Gjykatat kanë proces të ndryshëm nga procesi diplomatik, mendësia është ndryshe. Nuk jam në gjendje të gjykoj gjykatën, por jam i mendimit se avokatët duhet të vendosin për hapat e radhës dhe besoj se Ballkani mund të ketë të ardhme më të mirë se sa e ka pasur”, tha ai./Euronews.al












