Avokati për ndryshimin e Ligjit për Specialen: Ka probleme e kushtetuese, duhet të rishikohet edhe kontrolli ndërkombëtar

Avokati Kadri Osaj ka thënë se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të shqyrtohet nga këndvështrime të ndryshme, duke marrë parasysh situatën aktuale dhe mënyrën e procedimit të rasteve në këtë gjykatë.
Duke folur për këtë çështje, Osaj ka deklaruar se çdo ligj ka zbrazëtira që duhet të përmirësohen, ndërsa ka ngritur edhe shqetësime lidhur me aspektet ligjore dhe kushtetuese të draft-projektit të propozuar.
“Çdo ligj ka zbrazëtira të veta dhe çdo zbrazëtirë duhet përmirësuar. Një gjë duhet ta kemi të qartë, që ky draft-projekt cenon amendamentin kushtetues. Sinqerisht, kemi një problem ligjor dhe kushtetues dhe kemi problem me partnerët ndërkombëtarë. Kemi hapësirë me ndryshu këtë ligj”, ka deklaruar Osaj.
Ai ka thënë se gjatë praktikës gjyqësore janë vërejtur, sipas tij, shkelje të standardeve të përcaktuara me ligj, duke kërkuar kontroll sistematik të personave të përfshirë në proceset e Dhomave të Specializuara.
“Është mirë me cek se me ligj është paraparë që standardet e inkorporuara në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të cenohen, mirëpo gjatë praktikave gjyqësore kemi parë që janë cenuar. Kemi nevojë për kontroll sistematik të personave të kyçur në këtë gjykatë”, ka thënë ai.
Osaj ngre çështjen e moshës së gjyqtarëve
Avokati ka ngritur edhe çështjen e kushteve ligjore që duhet t’i plotësojnë gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se disa prej tyre kanë arritur moshën e pensionimit dhe, për këtë arsye, nuk i plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën.
“Për faktin se disa gjyqtarë nuk i plotësojnë kushtet ligjore sipas dispozitave ligjore me qenë gjyqtarë, pasi kanë arritur moshën e pensionimit. Meqenëse ka zbrazëtirë juridike, atëherë në rastin konkret duhet me ba përpjekje për ndryshim”, është shprehur Osaj.

Lexo edhe“Liria Ka Emër” paralajmëron konferencë për media, nesër në Prishtinë
Ai ka kërkuar rishikimin e sistemit të kontrollit ndërkombëtar dhe vendor, duke vlerësuar se në këtë proces duhet të ketë edhe përfshirje të mekanizmave vendorë.
“Edhe sistemi i kontrollit ndërkombëtar edhe vendor duhet të rishikohet. Ai ndërkombëtar duhet me pas prezencën e vendorëve, sepse janë shkelë standardet”, ka deklaruar Osaj.
Pretendon shkelje të të drejtave të të akuzuarve
Osaj ka folur edhe për të drejtat e të akuzuarve gjatë marrjes në pyetje, duke pretenduar se janë shkelur standardet ligjore lidhur me praninë e avokatit mbrojtës.
“Janë thy standardet ligjore gjatë marrjes në pyetje. Është kusht që te veprat që kanë mbi 10 vjet dënim duhet me qenë prezent avokati. Kjo e drejtë është shkelë”, ka thënë ai.
Në fund, avokati ka theksuar se llogaridhënia duhet të jetë pjesë e një mekanizmi efektiv të kontrollit mbi funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që çështjet e ngritura të shqyrtohen në kuadër të ndryshimeve të mundshme ligjore./Tv Dukagjini/












