Haziri në natën e gjashtë të protestës: Ky shesh nuk kërkon ndarje, kërkon bashkim – na ka bashkuar UÇK-ja

Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka thënë se tubimet në Prishtinë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke u bërë thirrje institucioneve dhe deputetëve të Kuvendit që të ndërmarrin veprime lidhur me situatën pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
Në fjalimin e tij në natën e gjashtë të protestës në sheshin “Skënderbeu”, Haziri ka thënë se protestuesit nuk janë mbledhur për interesa partiake apo personale.
“Sepse ne nuk kemi dalë këtu për një parti politike. Nuk kemi dalë për pushtet. Nuk kemi dalë për interesa personale. Kemi dalë sepse besojmë se UÇK-ja dhe historia e luftës sonë janë më të mëdha se secila parti”, ka thënë Haziri.
Ai ka deklaruar se prej ditës së parë protestuesit kanë paraqitur kërkesa konkrete ndaj institucioneve të Kosovës.
“Dhe prej ditës së parë kemi pasur kërkesa konkrete. Kemi kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të mos heshtin. Kemi kërkuar që Kuvendi të veprojë. Kemi kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, është shprehur ai.
Haziri u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që, sipas tij, të veprojnë së bashku, pavarësisht se cila parti e ka propozuar nismën.
“Por dëgjojeni mirë: Kjo nuk është çështje e PDK-së! Kjo nuk është çështje e një partie! Prandaj sonte u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: Uluni bashkë! Mos e shikoni kush e ka propozuar. Mos e shikoni logon e partisë. Shikojeni kërkesën!”, ka deklaruar ai.

Lexo edheBajqinovci i reagon Çitakut: Presim Kushtetuesen, projektligjin për Specialen do ta shqyrtojmë juridikisht
Sipas Hazirit, protestuesit nuk kërkojnë që meritat t’i takojnë një partie, por kërkojnë veprim institucional.
“Nëse një parti e ka bërë hapin e parë, të tjerat le ta vazhdojnë. Sepse ne nuk kërkojmë se kush do t’i marrë meritat. Ne kërkojmë veprim institucional! Ky shesh nuk kërkon ndarje. Ky shesh kërkon bashkim. Sepse këtu nuk na ka bashkuar partia. Na ka bashkuar UÇK-ja!”, ka thënë Haziri.
Ai ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë.
“Prandaj vazhdojmë. Me dinjitet. Të bashkuar. Edhe sonte. Edhe nesër”, ka përfunduar Haziri. /Lajmi.net/












