Tetë vatra zjarri mbeten aktive në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 21:00 janë regjistruar 26 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.
Për përballimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave vendore dhe qendrore, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon puna intensive për shuarjen dhe izolimin e vatrave në një terren të vështirë. Janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së. Forcat dhe mjetet janë pozicionuar në pikat me rrezik për ndërhyrje të menjëhershme. Falë ndërhyrjes janë shpëtuar 2 banesa të banuara, ndërsa janë marrë masa edhe për evakuimin e disa banorëve, raporton abcnews.al, transmeton Klankosova.tv.
Në Shtanë, Mirditë, vijon angazhimi për mbrojtjen e zonës së banuar me 40 forca bashkiake, të mbështetura nga 30 efektivë të FA-së, 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Policia e Shtetit ka evakuuar banorët e rrezikuar, ndërsa në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.
Në Dukat, Vlorë, është përforcuar ndjeshëm angazhimi. Në terren operojnë 2 automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 100 efektivë të FA-së, ndërsa nga ajri operacioni është mbështetur nga 2 avionë Air Tractor.

Lexo edheArrestohen tre persona në veri, të dyshuar për vjedhje të rëndë
Pavarësisht shtrirjes së vatrës në drejtim të malit, nuk rrezikohen banesa.
Në Dajt, Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter të FA-së. Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi, Klos, janë angazhuar 5 efektivë zjarrfikës, 10 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, ndërhyrjet e deritanishme kanë sjellë përmirësim në disa zona: Farka është nën kontroll, ndërsa Mal Miloti, Lufaj, Kalivaç dhe mali i Çikës mbahen nën mbikëqyrje. Në Mal Milot zjarri është shuar pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe FA-së.












