Tetë kushtet e Kroacisë për Malin e Zi para anëtarësimit në BE

Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument, në të cilin paraqet qëndrimin e saj kombëtar për çështjet e pazgjidhura me Malin e Zi.
Në të, Zagrebi rendit kushtet që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara se të anëtarësohet në bllokun evropian.
Një pjesë të këtyre kërkesave, Kroacia i lidh drejtpërdrejt me mbylljen e kapitujve negociues 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 31 (Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes).
Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike, Kroacia ua ka përcjellë dokumentin vendeve të tjera anëtare në fillim të kësaj jave.
Në dokumentin që siguroi REL-i, thuhet se çështjet kryesore të pazgjidhura “duhet të zgjidhen përpara se Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.
Zagrebi thekson se përparimi konkret në këto çështje është vendimtar për sigurimin e mbështetjes së gjerë publike, politike dhe parlamentare në Kroaci, përfshirë ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Gjashtë kërkesat në kuadër të Kapitullit 23
Shumica e kërkesave lidhen me pasojat e luftërave të viteve 1990 dhe janë përfshirë në Kapitullin 23.
Ky kapitull, së bashku me Kapitullin 24, është njëri nga dy kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, këta dy kapituj hapen të parët dhe mbyllen të fundit, ndërsa përparimi në ta përcakton ritmin e gjithë procesit të anëtarësimit.
Dëmshpërblimi i personave të mbajtur në kampin e Morinjit. Sipas dokumentit, nga tetori i vitit 1991 deri në gusht të vitit 1992, në këtë kamp u mbajtën të ndaluar mbi 300 shtetas kroatë, kryesisht nga rajoni i Dubrovnikut.
Ruajtja e pllakës përkujtimore në Morinj. Pllaka u zbulua bashkërisht nga ministrat e dy vendeve më 10 tetor 2022, me një tekst të propozuar nga pala malazeze. Kroacia thotë se, ndërkohë, rreth pllakës është vendosur një strukturë më e madhe metalike, mësa duket për një panel që mund ta mbulojë atë, përveç rasteve kur mbahen ceremoni zyrtare përkujtimore.
Ndryshimi i emrit të pishinës së qytetit në Kotor. Pishina mban emrin e vaterpolistit Zoran Gopçeviq, i cili, sipas palës kroate, kishte shërbyer si roje në kampin e Morinjit gjatë viteve 1991-1992. Për këtë arsye, klubet kroate kishin refuzuar të luanin në atë pishinë, ndërsa kombëtarja kroate kishte kërcënuar me bojkotimin e finales së madhe të Kupës së Botës më 2025. Bojkotimi u shmang pasi ndeshjet e Kroacisë u zhvendosën në Budvë.
Zbardhja e fatit të 14 shtetasve të zhdukur kroatë. Kroacia kërkon bashkëpunim të plotë nga autoritetet malazeze, shkëmbim informacionesh dhe qasje në arkiva për të sqaruar fatin e tyre.
Ndjekja penale e krimeve të luftës, përfshirë ato mbi bazën e përgjegjësisë komanduese. Sipas Zagrebit, në Mal të Zi nuk është dhënë asnjë vendim gjyqësor për krime lufte mbi këtë bazë.
Zgjidhja e çështjes së të drejtave pronësore të familjeve kroate, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera nga Gjiri i Kotorit. Kërkesat e tyre nuk janë zgjidhur, pavarësisht vendimeve gjyqësore të formës së prerë ose procedurave të zgjatura. Zagrebi e krahason këtë situatë me ligjin e vitit 2021, përmes të cilit tokat në gjirin e Valdanosit iu kthyen ish-pronarëve, kryesisht pjesëtarë të pakicës shqiptare, dhe paralajmëron për trajtim të pabarabartë të rasteve të ngjashme.
Anija Jadran dhe çështja e kufirit
Dy kërkesat tjera lidhen me Kapitullin 31. Mali i Zi nuk ka arritur ta mbyllë këtë kapitull që nga viti 2024, për shkak të bllokadës së Kroacisë, e cila pasoi miratimin e rezolutës për Jasenovacin nga Kuvendi i Malit të Zi.
Kthimi i anijes shkollore Jadran. Sipas Kroacisë, anija ndodhej në Mal të Zi për riparime kur shpërtheu lufta në vitin 1991 dhe i përket Kroacisë në bazë të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Jugosllavisë, të vitit 2001.
Çështja e kufirit. Kroacia kërkon që Mali i Zi të konfirmojë se respekton kufirin e dikurshëm ndërmjet dy republikave, në përputhje me parimin juridik uti possidetis juris, të konfirmuar nga Komisioni i Badinterit. Zagrebi kërkon, gjithashtu, nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin tokësor, bazuar në tri harta ekzistuese. Pas zgjidhjes së çështjes së kufirit tokësor, Kroacia do të ishte e gatshme të thërriste rregullisht mbledhje të komisioneve për përcaktimin e kufirit detar, por pa caktuar afate konkrete.
Pse është i rëndësishëm ky dokument?
Qëndrimi i përbashkët i BE-së është një dokument përmes të cilit vendet anëtare përcaktojnë qëndrimin e Bashkimit Evropian për hapjen ose mbylljen e një kapitulli të caktuar negociues, përfshirë kriteret që duhet t’i përmbushë vendi kandidat.
Drafti hartohet nga Komisioni Evropian, pasi vendi kandidat dorëzon qëndrimin e tij negociues për kapitullin përkatës.
Në të, Komisioni vlerëson shkallën e përafrimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së dhe propozon kushtet që duhet të përmbushen.
Drafti, më pas, shqyrtohet nga diplomatët e të 27 vendeve anëtare në Grupin Punues të Këshillit të BE-së për Zgjerimin.
Pikërisht në këtë fazë zhvillohen negociatat politike, pasi vendet anëtare mund të kërkojnë ndryshime, kushte shtesë ose shtyrje të procesit.
Meqë qëndrimi i përbashkët miratohet njëzëri, secili vend anëtar ka praktikisht të drejtën e vetos.

Lexo edhePërshkallëzohet protesta e studentëve në Tiranë, i vihet flaka Ministrisë së Arsimit
Në këtë fazë, vendet anëtare shpesh e kushtëzojnë përparimin e një vendi kandidat me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Vetëm pasi të gjitha vendet anëtare arrijnë pajtim, drafti shndërrohet në qëndrim të përbashkët të BE-së.
Ai i paraqitet vendit kandidat në një konferencë ndërqeveritare, ku kapitulli hapet zyrtarisht ose mbyllet përkohësisht.
Pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare kërkohet edhe për ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit.
Se Zagrebi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesat e tij, la të kuptohet të hënën edhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërlliq Radman.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, më 12 tetor në Luksemburg, ai u tha gazetarëve se kërkesat e Zagrebit lidhen me trashëgiminë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të Luftës për Atdhe, siç njihet në Kroaci lufta e viteve 1990.
Sipas tij, këto janë çështje të të drejtave të njeriut.
“Këtu po flasim edhe për sundimin e ligjit. Këto janë të drejta themelore. Gjatë këtyre 20, përkatësisht 35 vjetëve, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është zgjidhur”, tha ai.
Mali i Zi synon përfundimin e negociatave këtë vit
Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit dhe konsiderohet kandidati me perspektivën më të afërt për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Deri më tani, ai ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj negociues, ndërsa 12 të tjerë mbeten për t’u mbyllur.
Qeveria në Podgoricë synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti.
Duke pasur parasysh kohën e mbetur dhe numrin e kapitujve ende të hapur, ky është një plan shumë ambicioz, por jo i parealizueshëm.
Zyrtarët evropianë janë duke përmendur gjithnjë e më shpesh mundësinë që negociatat të përfundojnë në fillim të vitit 2027.
Në prill, vendet anëtare të BE-së miratuan nisjen e hartimit të draftit të Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, la të kuptohet se traktati mund të nënshkruhet në verën e vitit të ardhshëm.
Për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull negociues, si dhe për miratimin e tekstit përfundimtar të Traktatit të Anëtarësimit, kërkohet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
Mbështetje për Malin e Zi, por duke mbrojtur interesat kombëtare të Kroacisë
Kroacia thekson në dokument se i ka mbështetur vazhdimisht integrimet euroatlantike të Malit të Zi, përfshirë anëtarësimin e tij në NATO.
Ajo përmend se i ka vënë në dispozicion Malit të Zi përkthimin në kroatisht të legjislacionit të BE-së, me vlerë prej tetë milionë eurosh.
Në të njëjtën kohë, Zagrebi pretendon se “veprimet e papritura të njëanshme” të autoriteteve malazeze kanë rindezur tensionet historike dhe kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e gjerë në Kroaci për anëtarësimin e Malit të Zi në BE.
Sipas dokumentit, Kroacia i kishte dorëzuar Malit të Zi që në dhjetor të vitit 2023 një dokument joformal (non-paper) me listën e çështjeve të pazgjidhura. Këtë dokument e kishte ndarë edhe me vendet anëtare të BE-së dhe me Komisionin Evropian.
Konsultime dypalëshe u zhvilluan në janar dhe në maj të vitit 2025, ndërsa ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve u takuan rreth dhjetë herë gjatë vitit 2026 – çdo herë me nismën e Zagrebit.
“Asnjëra nga çështjet e hapura nuk është zgjidhur ende”, thuhet në dokument.
Kroacia thekson se synon ta lehtësojë, e jo ta pengojë, anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe se kërkesat e saj janë të kufizuara, të përcaktuara qartë dhe të realizueshme.












