Gjykata merr vendim ndaj Gani Gecit, i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci.
Gjykata mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Gecit, raporton lajmi.net.
Prej më shumë se dy orëve, Gani Geci është në njërën nga sallat e seancave gjyqësore tek Pallati i Drejtësisë.
Vendosja e masës së paraburgimit është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e gjykatës.
I njëjti akuzohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Geci ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kanosje të gazetarit dhe drejtuesit të “Vox Kosova,” Lirim Mehmetaj. Sipas dosjes së Prokurorisë, në objektin e punës së “Vox Kosova”, Gani Geci ka kërkuar që ai të heq një postim të bërë për Fatos Gecin.
Madje ai i ishte referuar atij që o duhet hequr, “ose kena me u vra”.

Lexo edhePërshkallëzohet protesta pranë Ministrisë së Arsimit, policia përdor gaz e ujë ndaj të rinjve
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, për shkak të një postimi të publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarin ta largojë ose ta ndryshojë përmbajtjen e postimit, pasi ky i fundit kishte refuzuar kërkesën e tij, thuhet se ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.
“…duke ia përsëritur kërkesën me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra“, thuhet në kërkesë.
Më tej, thuhet se më 12 tetor 2026 derisa i dëmtuari ishte në emisionin “Debat Plus” në cilësinë e panelistit, i dyshuari Geci kishte shkuar në afersi të TV Dukagjinit, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t’ia bëre me dije të dëmtuarit se ndodhej aty dhe e kishte pritur përreth dy orë që të dilte nga studio. Me këto veprime, ka shkaktuar tek i dëmtuari ndjenjën e frikës, ankthit e pasigurisë.
Andaj, për këto veprime, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal./Lajmi.net/












