Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se Komuna do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë, duke e akuzuar për mbylljen e qëllimshme të deponisë.
“Hekuran Murati, qëllimshëm nuk e nënshkruan kredinë prej 74 milionë eurosh që mundëson blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve”, ka thënë Musmurati.
Ajo ka deklaruar se Prishtina po përballet me vështirësi në menaxhimin e mbeturinave, ndërsa ka akuzuar se qyteti po mbahet peng për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
“Tash e dy vite Prishtina mbahet peng për shkak të inateve të një partie politike”, ka deklaruar ajo.
Musmurati ka thënë se Komuna nuk do të qëndrojë duarkryq përballë situatës, duke drejtuar akuza ndaj Dardan Velisë dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Nuk mund të rrimë duarkryq përballë këtij presioni të jashtëzakonshëm. Nuk do të lejojmë që misionarët e Albin Kurtit për sabotimin e Prishtinës, Dardan Veliaj me një anë, e Hekuran Murati në anën tjetër ta bllokojnë pastrimin e Prishtinës. Për këtë arsye, Prishtina do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë për mbylljen e qëllimshme të deponisë”, ka thënë Musmurati. /Lajmi.net/