Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, më 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, mirëpo deri më tani ka marrë pëlqimin vetëm nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), ndërsa është kundërshtuar LDK dhe VV ende nuk janë deklaruar. E njohës të ekonomisë po thonë që ekzistojnë dy arsye për tërheqjen e këtyre mjeteve nga Trusti, shkruan Gazeta Metro.
Deputeti i VV’së, Armend Muja po e quan abuzim me trustin dhe po zotohet se nevojat e qytetarëve do adresohen përmes shtesave të tjera.
E megjithëse kishte marrë një vendim të tillë kur udhëhiqte me vendin, edhe Avdullah Hoti e kundërshton idenë e PDK’së për një tërheqje tjetër nga Trusti.
Mirëpo, njohësit e çështjeve ekonomike dhe atyre të politikave bëjnë thirrje që të iu mundësohet qytetarëve të tërheqin kursimet e tyre që janë të depozituara në Trustin Pensional të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Për profesorin e ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, ekzistojnë dy arsyetime se pse duhet që qytetarëve të iu mundësohet tërheqja e mjeteve financiare nga ku institucion.
“Që nga fillimi kam qenë pro tërheqjes së mjeteve financiare nga Trusti për dy arsye, sepse janë kursimet e qytetarëve si dhe do e lehtësonte sado pak jetën e tyre, ndërsa qeveria dhe politika në vend nuk ofrojnë alternativa të përkrahjes, por vetëm shprehen që nuk bënë me arsyetimin që po rrezikohët likuditeti financiar si dhe kursimet e qytetarëve” tha Kadrija.
Ndërsa politologu Shkëlzen Krivaqa arsyeton se në kriza të tilla duhet të lëshohen para më shumë në treg.
“Argumenti i vetem pro tërheqjes është se rritet fuqia blerëse, pasi që tash me rritjen e çmimeve ka ra kapaciteti blerës i pothuajse secilit qytetar, gjithashtu edhe tregu ka nevojë për infuzion për me u rikthy në gjendjen para rritjes së çmimeve” u shpreh ai për Gazetën Metro.
E arsyetimet e qeveritarëve sa i përket çështjeve buxhetore, i hedhë poshtë profesori Kadrijaj, duke aluduar se këto janë para të qytetarëve e jo të qeverisë.
“Qytetari po kërkon ndjersën e vet të kursyer, pra nuk po kërkon që të rëndohet buxheti i Republikës së Kosovës, zgjidhje nuk ofrojnë për të bërë më të lehtë jetën e qytetarëve, ndërsa shprehen që Kosova po funksionon shumë mirë”, tha njohësi i ekonomisë.
E këtë heshtje të institucioneve nuk e arsyetojnë asnjëri nga njohësit e çështjeve ekonomike e politike.
Për mosveprimet e qeverisë profesori i ekonomisë ia hedhë fajin edhe qytetarëve, të cilët as në kohë krize dhe varfërie nuk gjejnë arsye për të protestuar.
“Ky avaz i politikës në vend nuk do ndalët, derisa kemi qytetarë të heshtur ku çdo veprim të politikës në vend e pranon sikurse të ishte shpallje nga qielli, derisa nuk ka reflektim nga qytetarët me ngritje të zërit përmes protestës masive për çdo veprim që ju servohet nga qeveria ne vend, kjo e fundit nuk do përmirsohet”, theksoi ekonomisti.
E rreth kësaj çështje janë deklaruar edhe nga Trusti, Zëdhënësi i këtij insutitivioni, Jeton Demi ka thënë për KosovaPress, se Fondi i Kursimeve Pensionale, e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale deri në pensionimin e kontribuuesve.
“Ne duhet të kryejmë të gjitha përgjegjësitë tona ligjore. Mandati i institucionit është të administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale derisa kontribuuesit dalin në pension. Dhe brenda këtij fushëveprimi ne i kryejmë obligimet tona ligjore nga institucionet, të cilat marrin vendime për kornizën dhe ambientin në të cilin veprojmë. Brenda këtij fushë veprimi, brenda këtij mandati, ne mund të komentojmë dhe japim vlerësimet tona. Jashtë këtij mandati nuk është në detyrën tonë të gjykojmë, të komentojmë, opinionet apo vlerësimet dhe qëndrimet e individëve, të organeve apo institucioneve tjera”, thotë Demi.
Ndonëse deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, më 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Ende nuk dihet se kur do të shqyrtohet ky projektligj në kuvend./gazetametro.net