Të premten në orën 10:00 do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë.
Ajo ka thënë se mbajtja e seancës është dakorduar dhe se në rend dite, përveç pikave të rregullta, do të jenë edhe dy çështje kryesore.
Sipas Nagavcit, në këtë seancë pritet të votohet për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza.
“Janë dakorduar që të ftohet seanca e radhës ditën e premte në ora 10:00. Përveç pikave të rregullta do të bëhet edhe zgjedhja e dy anëtareve për Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu edhe dërgimi i FSK-së në Gaza”, ka deklaruar ajo.