Të hënën mblidhen dy komisione parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën, më 19 tetor, mbledhjet e Komisionit për Integrim Evropian, Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Kryesisë së Kuvendit.
Komisionet parlamentare do të shqyrtojnë planet e tyre të punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026, ndërsa në mbledhjen e Kryesisë pritet të diskutohet propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Komisioni për Integrim Evropian do të mblidhet në orën 10:00, në sallën N-303.
Sipas rendit të ditës, anëtarët e komisionit do të shqyrtojnë dhe miratojnë rendin e ditës dhe procesverbalet e mbledhjeve të 2 dhe 6 tetorit 2026, raporton IndeksOnline.
Pika kryesore e mbledhjes do të jetë shqyrtimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026. Në fund, është paraparë edhe pika “Të ndryshme”.
Po ashtu, në orën 10:00, në sallën N-302, do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Përveç miratimit të rendit të ditës dhe procesverbalit të mbledhjes së 1 tetorit, komisioni do të shqyrtojë dhe miratojë Projektligjin nr. 11/1-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Në rend dite është përfshirë edhe shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026, si dhe pika “Të ndryshme”.

Lexo edheProtestat e dhunshme në Shqipëri, 34 policë dhe 21 protestues përfunduan në spital vetëm sot
Në orën 11:00, në sallën C-301, do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.
Fillimisht, Kryesia do të shqyrtojë miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme, ndërsa më pas do të diskutojë propozimin e rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Ndër pikat e parapara për seancën plenare janë miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në agjendë është përfshirë edhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK): dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet jo shumicë.
Po ashtu, Kryesia do të shqyrtojë votimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Mbledhja do të përfshijë edhe shqyrtimin e propozimeve dhe kërkesave.












