Milaim Zeka sërish para Apelit për rastin e shmangies nga tatimi, kërkon të shpallet i pafajshëm: Tash e 10 vite maltretohem nëpër gjyqe

Në Gjykatën e Apelit të enjten u mbajt seanca e kolegjit ku u shqyrtuan ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila e kishte dënuar ish-deputetin Milaim Zeka me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë për shmangie nga tatimi, si dhe e obligoi t’ia kompensojë 67 mijë euro Administratës Tatimore të Kosovës.
Në këtë seancë, Zeka kërkoi të shpallet i pafajshëm dhe të vendoset drejtësia, duke theksuar se kurrë nuk ka pasur qëllim t’i shmanget tatimit.
Ai tha se kompaninë e ka mbyllur me vërtetim nga ATK-ja dhe se prej 10 vitesh po maltretohet nëpër gjykata me akuza të montuara.
Sipas tij, përfaqësuesi i ATK-së kishte dhënë deklaratë të rrejshme nën betim. Po ashtu, Zeka pretendoi se kryehetuesi që më pas është ngritur në postin e prokurorit, dy dëshmitarëve u ishte drejtuar me fjalë të papërshtatshme.
“Qoftë me kusht, qoftë pa kusht unë jam i dënum. Nuk ka kurrfarë rëndësie ajo absolut a jam me kusht a jo. Unë shënohem në regjistrat e gjykatës që jam njeri i dënum”, u shpreh Zeka.
Zeka tha se shpreson që kolegji gjykues të marrë vendim meritor.

Lexo edheKuvendi nis votimin e fshehtë për anëtarët jo-shqiptarë të Bordit të RTK-së
“Shpresoj shumë që për hir të drejtësisë, ky trup gjykues të marr një vendim në bazë edhe të fjalës time që e thash edhe në bazë të dokumentacionit”, shoi ai.
Mes lotësh, Milaim Zeka tha se padrejtësisht është duke u endur tash e 10 vite nëpër gjyqe.
“Në muajin mars 1982 pas daljes time nga burgu, jam arratisë. Kurrë në jetën time nuk kam qenë një ditë në stacion të policisë për një biletë të autobusit. E me u bë unë kriminel, mos me njoftë vetën, këtë ma ka ba vetëm shteti im, prokurorët e vendit tim. Në fjalën time përfundimtare i kam thanë prokurorit Atdhe Gashi, a kemi hip në lift vetëm unë dhe ti. Tha po. I thash, a m’i keni lyp 120 mijë euro m’u tërheq nga akuza. Tha jo. I thash, po m’i ke lyp. Tha jo. I thash, a po e sheh që me shpifje e rrena më ke majt që 10 vjet në gjyqe, që 10 vite jam tu u maltretu, që 6 vite jam njeri i pafajshëm”, shtoi Zeka.
Zeka tha se asgjë nuk ka përjetuar më rëndë sesa të akuzohet nga shteti i vet për gjëra të paimagjinueshme.
Po ashtu, ai tha se kur gjyqtari kishte pyetur se në bazë të cilës provë është akuzuar për kanosje, është thënë në bazë të emisionit televiziv “DPT te Fidani”, por se sipas tij, ajo provë është zhdukur nga Prokuroria dhe del se nuk ka kërcënuar, por ka thënë se do merret vesh me gjykatësit., raporton “Betimi për Drejtësi“.








