Sulmi fizik në asamblenë e Mitrovicës, jep versionin e tij Faton Peci

Situata është tensionuar sot në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, ku një përplasje verbale mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës dyshohet se ka eskaluar në konflikt fizik.
Në incident dyshohet se janë përfshirë drejtori dhe pjesëtarë të stafit të Faton Pecit, si dhe asamblistë të Partisë Demokratike të Kosovës,
Pas raportimeve për incidentin ka reaguar kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka mohuar se ka pasur rrahje në Kuvendin Komunal.
Përmes një reagimi publik, Peci ka deklaruar se pretendimet për përleshje fizike janë të pavërteta dhe se, sipas tij, për këtë ekzistojnë edhe video-incizime.
“Njoftojmë qytetarët e Mitrovicës se pretendimet për gjoja rrahje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës janë plotësisht të pavërteta, për çka ekzistojnë dëshmi me video-incizime. Konflikti verbal fillimisht u nxit nga dy asambleistet e PDK-së, në drejtim të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani. Reagimi erdhi pasi drejtori Asllani rikujtoi keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së kaluar, për çka edhe ishte arrestuar ish-drejtori i PDK-së”, ka thënë Peci.
Lexo edheTahiri reagon pas përleshjes në Kuvendin e Mitrovicës: Pasojë e arrogancës dhe qeverisjes së mbrapshtë
Në fund të reagimit, Peci ka theksuar se qeverisja e tij nuk do të ndikohet nga kërcënimet apo presionet.
“Ne nuk ndalemi. Qeverisja jonë nuk shantazhohet, as me kërcënime me grushta e as me ndonjë kërcënim tjetër”, ka shkruar Peci.





