Një metodë e re stimulimi të trurit mund të ndihmojë në përmirësimin e aftësive sociale tek fëmijët me autizëm, sugjerojnë studiuesit.
Shkencëtarë në Kinë zbuluan se kjo terapi jo-invazive, e cila përdor impulse magnetike të aplikuara në kokë, solli përmirësime afatshkurtra në komunikimin social dhe gjuhë pas vetëm pesë ditësh trajtimi.
Megjithatë, ekspertët e vlerësojnë këtë zhvillim si “premtues”, duke theksuar se rezultatet janë ende paraprake dhe duhet të konsiderohen si një shtesë e mundshme ndaj metodave ekzistuese të mbështetjes, si terapia e të folurit dhe programet edukative.
Autism Spectrum Disorder ndikon në mënyrën se si individët komunikojnë, ndërveprojnë dhe përjetojnë botën. Sipas të dhënave, kjo gjendje prek rreth një në 31 fëmijë dhe një në 45 të rritur në SHBA. Shumë fëmijë me autizëm hasin vështirësi në komunikimin social, si interpretimi i shprehjeve të fytyrës, ndjekja e radhës në bisedë apo ndërveprimi me bashkëmoshatarët.
Trajtimi i ri, i njohur si “accelerated continuous theta burst stimulation” (a-cTBS), synon një zonë specifike të trurit – korteksin motorik të majtë, i lidhur jo vetëm me lëvizjen, por edhe me gjuhën dhe aspektet e të menduarit social.
Studimi, i publikuar në The BMJ, përfshiu 200 fëmijë me autizëm, të moshës 4 deri në 10 vjeç, të trajtuar në tre spitale në Kinë. Fëmijët u ndanë në dy grupe: njëri mori trajtimin real, ndërsa tjetri një version simulues për krahasim.
Rezultatet treguan se fëmijët që morën trajtimin real shfaqën përmirësime më të dukshme në komunikimin social dhe aftësitë gjuhësore, si menjëherë pas trajtimit ashtu edhe një muaj më vonë.
Efektet anësore u raportuan më shpesh tek grupi i trajtuar, por ato ishin kryesisht të lehta deri mesatare, duke përfshirë shqetësim në skalp dhe agjitacion, dhe u zhdukën pa ndërhyrje.
Megjithëse studiuesit sugjerojnë se kjo terapi mund të bëhet një alternativë e realizueshme dhe efektive në të ardhmen, ekspertët e pavarur bëjnë thirrje për kujdes. Ata theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar efektet afatgjata dhe për ta integruar këtë metodë në praktikën klinike.
Në përfundim, specialistët theksojnë se stimulimi i trurit nuk duhet të zëvendësojë terapitë ekzistuese, por potencialisht mund të bëhet pjesë e një qasjeje më të gjerë për trajtimin e fëmijëve me autizëm. /GazetaExpress/