Sipas raportimeve në Itali, mbrojtësi i Manchester Cityt, Nathan Aké, i është ofruar Interit, ku mund të ribashkohej me Manuel Akanjin.
“Zikaltrit” po kërkojnë të rifreskojnë repartin defensiv për sezonin e ardhshëm, pasi Francesco Acerbi, Matteo Darmian dhe Stefan de Vrij pritet të largohen, ndërsa edhe Alessandro Bastoni dhe Carlos Augusto thuhet se po shqyrtojnë të ardhmen e tyre.
Sipas “FCInterNews”, Aké është propozuar tek Interi nga ndërmjetës të transferimeve që bashkëpunojnë me agjentët e lojtarit.

Kontrata e tij me Manchester Cityn skadon në qershor 2027, prandaj klubi anglez mund të mendojë për një shitje këtë verë për të shmangur rrezikun e largimit falas në të ardhmen.
Holandezi, tashmë 31 vjeç, është lidhur edhe me klube si Bayer Leverkuseni dhe Beşiktaşi, por do të sillte eksperiencë të vlefshme në mbrojtjen e Interit.
Manchester City pagoi rreth 45 milionë euro për ta transferuar nga Bournemouthi në vitin 2020, ndërsa më herët ai ka qenë pjesë e Chelseat, Watfordit, Readingut dhe akademisë së Feyenoordit.
Një situatë e ngjashme ishte edhe verën e kaluar me Akanjin, i cili megjithatë ka qenë një element i rëndësishëm për Cityn.
Mbrojtësi zviceran iu bashkua Interit në huazim me opsion blerjeje prej 15 milionë eurosh, që do të bëhet i detyrueshëm nëse Interi fiton Serie A – gjë që mund të ndodhë që këtë fundjavë./GazetaExpress/