Kayden Kabashi, i cili të hënën ishte aksidentuar përderisa ishte nisur për në punë me motoçikletë në ShBA, ka vdekur në moshën 19-vjeçare, bëri të ditur një familjar i tij.
Sipas një fondi të hapur në faqen “Go Fund Me” për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit, Kayden mbushi 19 vjet para pak ditësh, më 19 prill. Ai ishte nisur nga shtëpia për në punë me motoçikletë, por një vozitës i kishte dalë në rrugë me veturën e tij dhe ishte përplasur drejtpërdrejt me të, thuhet në përshkrim.
Në fond ishin mbledhur mbi 56 mijë dollarë.
Aty thuhet se helmeta e të riut ishte thyer nga forca e përplasjes dhe motoçikleta ishte përfshirë nga flakët.
Gjatë qëndrimit në spital këtë javë, në përshkrim thuhet se mjekët kishin thënë se zemra e të riut po punonte me ndihmën e pajisjeve mjekësore dhe mund të përballej me dështim të funksionimit të organeve së shpejti.
“InshaAllah për Xhenet, djali i mixhës. Na e këpute zemrën” – shkroi një familjar i Kaydenit në rrjetin “Facebook”.