U nënshkrua sot në Tiranë amendimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe konsorciumit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP AG).
Këto dokumente do të ndjekin procedurat përkatëse ligjore për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë.
Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej Drejtorit Menaxherial, Ian Bradshaw.
Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.
Amendimet përkthehen në përfitime shtesë për Shqipërinë si:
1) Rishikimi i periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;
2) Rritja e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;
3) Dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350’000 Euro në 700’000 euro;
4) Memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz, (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.
Gjithashtu, nga ana e TAP u shpreh vullneti për të përmbushur disa detyrime të tjera për sa i përket:
1) sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar;
2) mundësinë e kufizimit të kohëzgjatjes së Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në 25 vite në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara;
3) zgjatjen e afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë dhe
4) dhënien e të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse TAP lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër pritës.
“Kjo marrëveshje e amenduar i krijon mundësinë Shqipërisë që të trajtohet tashmë në mënyrën e duhur dhe të ribalancojë angazhimet e saj kontraktuale si vend pritës i gazsjellësit duke maksimalizuar përfitimet. Qeveria e Shqipërisë mirëpret angazhimin e TAP për vazhdimin e projekteve të investimit në dobi të komuniteteve lokale, në infrastrukturën energjitike dhe atë të transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri.