“Mendova gjatë të shkruaj apo të heshti”, flet përfaqësuesi i LDK-së në diasporë

Mustaf Abazi, një nga përfaqësuesit e LDK-së në diasporë dhe ish-kandidat për deputet nga kjo parti, ka reaguar pas kritikave dhe ofendimeve të shumta që janë bërë ditëve të fundit në adresë të partisë së ciles i përket.
Abazi ka thënë se ka menduar gjatë nëse duhet të reagojë apo të heshtë, duke theksuar se, ndonëse kritikat janë pjesë e demokracisë, ofendimet nuk duhet të jenë pjesë e debatit politik.
“Unë nuk jam mësuar që fjala të ndryshojë në minutat e fundit. Kur kemi pasur kohë për të biseduar, për t’u takuar, për t’i dëgjuar argumentet dhe për t’i menduar vendimet, për mua fjala dhe qëndrimi kanë peshë”, ka shkruar Abazi.
Ai ka theksuar se nuk mund të ndryshojë qëndrimin brenda pak orësh vetëm për shkak të ndryshimit të rrethanave.
“Nuk mundem që një orë të besoj në një qëndrim e një orë më vonë, vetëm sepse rrethanat kanë ndryshuar, të sillem sikur ajo që kam thënë më parë nuk ka ekzistuar”, ka deklaruar ai.
Postimi I plotë I Abazit:
Sot mendova gjatë nëse duhet të shkruaj apo të hesht.
I lexova kritikat. I lexova edhe ofendimet. Disa i kuptova, disa më dhembën. Sepse mund të mos pajtohemi politikisht, por nuk besoj se duhet ta humbim respektin për njëri-tjetrin vetëm pse në një moment të caktuar kemi qëndrime të ndryshme.

Lexo edheBajraktari: Ligji i ri për Specialen sjell ndryshime substanciale, përfshirë rishikimin e dënimeve – procesi të vazhdojë në Kosovë
Unë nuk jam mësuar që fjala të ndryshojë në minutat e fundit. Kur kemi pasur kohë për të biseduar, për t’u takuar, për t’i dëgjuar argumentet dhe për t’i menduar vendimet, për mua fjala dhe qëndrimi kanë peshë.
Nuk mundem që një orë të besoj në një qëndrim e një orë më vonë, vetëm sepse rrethanat kanë ndryshuar, të sillem sikur ajo që kam thënë më parë nuk ka ekzistuar.
Ndoshta kjo na kushton kritikë. Ndoshta dikush do të zemërohet me ne. Dhe kjo është në rregull — kritika është pjesë e demokracisë.
Por ofendimi nuk është.
Po, jam pjesë e LDK-së. Jo sepse mendoj se çdo vendim është i pagabueshëm dhe as sepse besoj se nuk duhet të ketë kritikë. Jam këtu sepse besoj se politika duhet të ketë edhe parime, edhe përgjegjësi, edhe fjalë që ka peshë.
Mund të mos pajtohemi sot dhe përsëri ta respektojmë njëri-tjetrin nesër.
Sepse demokracia nuk sprovohet kur të gjithë mendojmë njësoj. Sprovohet pikërisht atëherë kur mendojmë ndryshe dhe, megjithatë, dimë ta ruajmë respektin për njëri-tjetrin.












