Punëtorët e NPB-së pa paga për gati tre muaj, paralajmërojnë protestë

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) të Prishtinës kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes.
Kryetari i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së, Valdet Sulejmani, tha në emisionin “Pasdite” në RTK se gjendja e punëtorëve është rënduar ndjeshëm, ndërsa deri tani nuk kanë marrë përgjigje konkrete për zgjidhjen e situatës.
Sipas tij, bllokimi i llogarisë është rezultat i një vendimi gjyqësor dhe punëtorët kërkojnë që gjykata të marrë një vendim, në mënyrë që ata të kenë të qartë se si do të vazhdojë situata.
“Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore janë në siklet shumë të madh, shkaku që pagat nuk i kemi marrë afro, po hyjmë për muajin e tretë. Dhe është një kosto e madhe. Kemi njerëz që janë në kredi bankare. Faturat e energjisë elektrike nuk na presin neve tre muaj. Nuk na presin qiratë tre muaj”, tha Sulejmani.
Ai theksoi se, pavarësisht situatës, shërbimet e NPB-së për qytetarët e Prishtinës vazhdojnë normalisht.
“Asnjë shërbim ende nuk ka ngecje, të gjitha shërbimet jemi duke i kryer për qytetarët e Prishtinës dhe do të mundohemi deri në fund që ne të vazhdojmë me këto shërbime”, tha ai.
Sulejmani bëri të ditur se punëtorët kanë organizuar protestë për të hënën pranë gjykatës, me kërkesën që institucioni të trajtojë situatën dhe t’u japë atyre informacion për ecurinë e çështjes.

Lexo edheIbishi: Zjarri në trafon e Trepçës është lokalizuar, minatorët kanë nisur të dalin
“Janë 380 punëtorë”, tha Sulejmani, duke shtuar se mungesa e pagave po rëndon drejtpërdrejt mbi familjet e tyre.
Ai tha se punëtorët kanë arritur ta përballojnë muajin e parë përmes huazimeve, por situata është bërë gjithnjë e më e vështirë pasi nuk kanë një afat të qartë se kur do t’i marrin pagat.
Sipas Sulejmanit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ndërmarrë veprimet që i ka lejuar ligji dhe ka bërë ankesat përkatëse, ndërsa punëtorët tani presin një përgjigje nga gjykata.
Sulejmani vlerësoi edhe angazhimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Artan Berisha, për të cilin tha se ka komunikuar me institucionet përkatëse dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zgjidhjen e situatës.
Megjithatë, sipas tij, deri tani nuk ka ardhur ndonjë përgjigje konkrete nga gjykata. “Po shohim që asnjë përgjigje, asnjë kurrgjë nuk kemi nga gjykata”, deklaroi Sulejmani.












