Shtohen forcat policore tek Gjykata e Pejës, pas pak seanca ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekaj

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekaj e cila u vra në mënyrë mizore me sëpatë nga kunati i saj, Alber Sylaj do të paraqitet sot para trupit gjykues në Pejë.
Duke filluar nga ora 14:00 prite të nis seanca gjyqësore ndaj Jeton Sylaj.
Prokuroria e Pejës ka kërkuar sot caktimin e masës së paraburgimit ndaj Sylaj.
Gazetari i lajmi.net raporton se në objektin e gjykatës janë shtuar forca policore. Një numër i madh i policëve veçse janë vendosur në objektin e gjykatës për të ofruar sa më tepër siguri.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026.

Lexo edheDeputetët përplasen për mosraportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës
“Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë”, thuhet në njoftim.
I dyshuari kyç, Albert Sylaj vazhdon të jetë ende nga arrati që nga ngjarja tragjike./Lajmi.net/













