Neglizhenca institucionale në rastin e Arlindës dhe ende asnjë largim| Më 2022 drejtori i Policisë së Kosovës pati dhënë dorëheqje morale mbi një rast tjetër

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kishte raportuar dhunë në familje në polici dhe pas disa raste radhazi ku ajo deklaroi në stacion policor dhe në Prokurori për dhunën që po i bëhej, ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë institucionale dhe rastet e mëparshme që kanë nxitur reagime e dorëheqje në institucionet e sigurisë.
Rasti i Arlinda Zekajt ka ngritur shqetësim mbi mënyrën se si rastet e dhunës në familje nuk trajtohen në mënyrën e duhur. Madje shpesh herë viktimat braktisen nga vetë institucionet tona.
E ngjashëm ndodhi edhe me Arlindën, e cila u braktis pikërisht nga ata që do duhej t’i ofronin ndihmë dhe siguri.
E këto raste ngrisin edhe pikëpyetjet e largimeve nga postet e ndryshme shtetërore, dorëheqjet individuale dhe shkarkimet e mundshme. Edhe pse deri tani nuk ka pasur ende asnjë zyrtarë që bëri këtë hap, vite më parë dikush pati dhënë dorëheqje morale.
Në vitin 2022, drejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dha dorëheqje nga kjo pozitë pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë. Dorëheqjen e tij e bëri publike ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Mehmeti e kishte marrë këtë vendim për arsye personale dhe për shkak të ndërgjegjes profesionale.
“Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.Tashmë Kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm z. Fehmi Hoti, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”,pati deklaruar Sveçla.
Pas lirimit të Mehmetit nga detyra, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës ishte caktuar Fehmi Hoti.
Rasti i atëhershëm kishte nxitur debat të gjerë për përgjegjësinë e institucioneve në mbrojtjen e viktimave dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës seksuale.
Katër vjet më vonë, një tjetër rast i rëndë ka vënë në pikëpyetje reagimin dhe përgjegjësinë e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të grave që përballen me dhunë në familje.
Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Rrethanat e rastit janë veçanërisht shqetësuese, pasi ajo kishte kërkuar ndihmën e Policisë duke raportuar dhunë në familje dhe, sipas informacioneve të publikuara, ishte kthyer në shtëpi vetëm pak minuta para se të vritej.

Sipas të dhënave fillestare, viktima ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë rreth orës 19:00, ku ishte intervistuar nga hetuesit. Edhe bashkëshorti i saj ishte intervistuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të publikuara, është larguar nga vendi i ngjarjes.
Rasti ka nxitur reagime dhe kërkesa për llogaridhënie, me theks të veçantë te mënyra se si institucionet e trajtojnë raportimin e dhunës në familje dhe te masat që ndërmerren për të parandaluar përshkallëzimin e saj.

Lexo edheAçikgöz: Stresi dhe presioni ndikojnë në performancën e punëtorëve, shëndeti mendor duhet të jetë prioritet
Heshtja e ministrave nxit kritika:
Në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, janë kritikuar për mungesën e një reagimi publik në kohën kur rasti ka nxitur debat për përgjegjësinë institucionale.
Vëmendje të veçantë ka marrë pozita e Gërvalla-Schwarz, e cila, sipas informacioneve të publikuara, është emëruar më 13 mars 2026 nga kryeministri Albin Kurti si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Mungesa e reagimit publik nga dy ministrat ka shtuar pyetjet për përgjegjësinë e institucioneve që drejtojnë dhe për masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar raste të tilla.
Megjithatë, çështja kryesore mbetet sqarimi i plotë i veprimeve të ndërmarra nga institucionet para vrasjes së Arlinda Zekajt, përfshirë trajtimin e raportimit të saj në polici dhe vlerësimin e rrezikut me të cilin ajo mund të jetë përballur.
Sot Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë”,thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë./Lajmi.net/












