CNN ka shkruar një artikull që për protagoniste ka shqiptaren, Sebije Neloviq, e cila ka 27 vjet që punon pastruese në Manhattan,
Neloviqi mbijetoi pasi agresori ia drejtoi armën në një ndërtesë zyrash në Manhattan, ku ai vrau katër persona para se të vetëvritej.
“Të hënën, po mblidhja mbeturinat si çdo ditë tjetër,” tha Neloviq. “Isha në katin e 33-të kur dëgjova një zhurmë që m’u duk si fishekzjarre. Pashë derën prej xhami pranë recepsionit duke u tundur. Papritur, ajo ra. Boom.”, raporton klankosova.
Më pas ajo pa sulmuesin i cili ia drejtoi armën…por fati ishte në anën e shqiptares.
“Ai u shfaq në mes të derës dhe më drejtoi armën. Filloi të qëllojë rreth meje,” kujtoi ajo.
“I ngrita duart dhe thashë: ‘Jam pastruese. Jam pastruese.’ Por kuptova që ai kishte një armë automatike. Ai nuk dinte kush jam unë. Do të qëllonte, pa dallim,” rrëfen Neloviqi.
Në atë moment, 65-vjeçarja nisi të vraponte nëpër korridor, gjeti një dollap dhe u fsheh aty.
“Dëgjoja britma nëpër korridor. Qëndrova aty brenda për pesë minuta, ndoshta 10, kur dëgjova hapat e tij që afroheshin.”
“Ai qëlloi derën e dollapit dhe u tremba shumë. Por isha mirë. E dëgjova teksa largohej dhe më kujtohet Julia,” tha ajo. “E dija që ishte në tavolinën e saj, dhe mendova, o Zot, ndihmoje.”
“Çdo ditë jam gjithnjë e më e stresuar dhe e tronditur”.
“Më pas, mbikëqyrësi im nisi të më telefonojë dhe të më shkruajë mesazhe. I thashë që isha në dollap dhe ai më tha të qëndroja aty,” tha ajo.
“U tremba se mos bëja ndonjë zhurmë, ndaj e fikja telefonin. Qëndrova aty për dy apo ndoshta tre orë. Vetëm lutesha.”
Agresoi i kishte marrë jetën vetes pasi kishte vrarë paraprakisht katër të tjerë. Neloviqi kishte dalë nga dollapi shëndosh e mirë fizikisht, por mbetet e traumatizuar nga rasti.