Rahaman Ali, vëllai më i vogël i legjendës së boksit Muhammad Ali, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga Muhammad Ali Center, që njoftoi se Rahaman vdiq të premten, më 1 gusht, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
I njohur si mbështetësi më i madh i vëllait të tij gjatë gjithë karrierës, Rahaman ndoqi gjurmët e Ali edhe në ring, duke zhvilluar një karrierë modeste si boksier me 14 fitore nga 18 duele. Pas tërheqjes, ai qëndroi pranë Muhammad Ali, duke udhëtuar me të dhe duke ndihmuar në stërvitje.
Hana dhe Laila Ali, vajzat e Muhammad-it, e kujtuan Rahaman-in me fjalë prekëse, duke e përshkruar si një shpirt të butë me zemër të madhe, që kurrë nuk kërkoi vëmendje, por jetoi për familjen e tij.
Me ndarjen nga jeta të Rahaman Ali-t, mbyllet një kapitull i fundit i familjes së ngushtë të kampionit të boksit.