Shoqëria civile ka ngritur shqetësim lidhur me vendimmarrjen e Qeverisë në detyrë. Pas vendimit të Gjykata Supreme, e cila e bëri të qartë se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat e qeverisë së Kosovës që janë njëkohësisht deputetë, shkel dispozitat kushtetuese, shumë vendime të anëtarëve të kabinetit qeveritar, tashmë mund të cilësohen të kundërligjshme, thonë përfaqësues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se që nga dita kur është shpallur aktgjykimi i Gjykatës Supreme, së paku 8 ministra përfshirë edhe kryeministrin, nuk do të duhej në asnjë rrethanë të dilnin në zyrë dhe të ushtronin kompetenca që dalin nga ekzekutivi. Kjo pasi aktgjykimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë se deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të ushtrojë pushtet ekzekutiv. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se çdo vendim i kryeministrit apo ministrave në fjalë nëse do të dërgohen në gjykatë, të njëjtat do të anulohen.
“Albin Kurti nga dita e vendimit të Gjykatës Supreme është vetëm deputet, që do të thotë se nuk është më kryeministër i vendit. Gjykata Supreme këtë e ka bërë shumë të qartë e kjo përfshin edhe ministrat, po flasim për ministrat që janë deputetë, ministrat që nuk janë deputetë ata i ushtrojnë kompetencat, përgjegjësit e tyre në bazë të ligjit që do të thotë i kanë kompetencat e kufizuara vetëm në fushat që e përcakton ligji mbi qeverinë”, tha Miftaraj.
Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në detyrë, Hekuran Murati, më 15 prill 2025, kishte nxjerrë një udhëzim të ri administrative për arkat fiskale, më qëllim të krijimit të një sistemi të ri të tyre përmes një ‘sistemi digjital’, që nënkupton se arkat fiskale aktuale do të dalin nga funksioni pas krijimit të sistemit të ri.
Në këtë kontekst, njohësi i rrethanave juridike, Blerim Burjani, thotë se “Marrja e vendimeve, ndërkohë që njëkohësisht janë edhe në Qeveri edhe në Kuvend si deputetë, mund të përbëjë vepër penale madje edhe nëse shfrytëzohen pasuritë publike, si: zyrat, automjetet, pagat e dyfishta apo përfitime të tjera me karakter publik.
“Nuk mundesh ti ose ai, cili do që është deputet edhe punon në ekzekutiv pra ka post ministror apo zëvendësministër, ministër nuk ka të drejtë të bëjë këtë punë sepse mund të prodhojë jo efektshmëri ligjore dhe mund të prodhojë edhe pasoja të tjera pastaj siç është shfrytëzimi i pasurive publike që do të thotë zyrave, automjeteve, derivateve e kështu me radhë. Të gjitha këto pastaj prodhojnë natyrë penale” , tha Burjani.
Por qeveria në detyrë mori vendime edhe gjatë kohës sa pritej certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një hulumtim për periudhën e qeverisë në largim, përkatësisht nga 9 shkurti deri më 27 mars, kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, tha se qeveria kishte marrë vendime të kundërligjshme duke tejkaluar kufizimet ligjore. Kështu pohon Blerina Istrefi nga GLPS e cila thotë se nga 76 vendime të kësaj periudhe, 13 ishin të kundërligjshme.
“Marrë parasysh që kufizimet që i njeh ligji në situatat kur kemi të bëjmë me qeverinë në largim, GLPS vlerëson se 13 nga këto vendime janë të kundërligjshme pasi janë marrë duke tejkaluar kufizimet në kuadër të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë”, tha Istrefi
Aktgjykim i Supremes (datë 07.07.2025) është nxjerrë pas padisë së bërë nga Kompanitë “Eternet” Sh.P.K. dhe “Service Global”, që kishin paditur Ministrinë e Financave,pasi kanë pretenduar se Udhëzimi Administrativ për Pajisjet Elektronike Fiskale, i publikuar në Gazetën Zyrtare më 16.04.2025, është nxjerrë në kundërshtim me Ligjin, pasi është nxjerrë nga një ministër i cili nuk ka pasur mandat aktiv.
Qeveria ka mbrojtur vendimin e saj për pajisjet fiskale duke thënë se është i drejtë dhe në dobi të qytetarëve. Në një deklaratë Gjykata Supreme tha se “Qeveria në detyrë është e obliguar të zbatojë planin e punës dhe në Ligjin për Buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve të reja nënligjore”./rtk