Kjo vështirëson dhe rritjen e çmimeve, që prej disa vitesh nuk po shënojnë ndryshime të dukshme, ndonëse televizionet kanë nevojë për më shumë para përballë shtimit të investimeve e programeve. Programi më i shtrenjtë për të reklamuar është shfaqja e humorit “Portokalli”, që transmetohet në Top Channel dhe për vite me radhë mbërthen pjesën më të madhe të audiencës së të dielës.
Një sekondë transmetim kushton 8400 lekë, ose rreth 66 euro (tarifa e sezonit të kaluar, sepse këtë vit nuk janë bërë ende publike tarifat e reja). Tarifa të ngjashme kishte vendosur Vizion Plus për show-n televiziv “Dancing with the Stars” për sezonin e kaluar (7,700 lekë), ndërsa në ofertat zyrtare të këtij sezoni, mungon programi i vallëzimit, ndërsa pritet të fillojë një tjetër show televiziv të premten.
Politika, shtrenjtohet “Opinion”
E enjtja është jo vetëm dita e betejës së fortë politike në prime- time, – ku mbizotëron debati, ritmi dhe ndonjëherë dhe “sherret”, – por edhe e tërheqjes së sponsorëve dhe reklamuesve. Emisioni politik më i shtrenjtë është “Opinion” i Blendi Fevziut në Tv Klan, ku një sekondë kushton 50 euro (rreth 6,300 lekë me kursin aktual), ditën e enjte. Për transmetimet nga e hëna në të mërkurën tarifat e reklamës janë rritur ndjeshëm, me 74% në 40 euro për sekondë.
Në emisionin e Vizion Plus, “Top Story”, nga Sokol Balla, që konkurron në të njëjtin orar të enjten, një sekondë reklamë kushton, sipas tarifave zyrtare 6 mijë lekë. E njëjta tarifë është edhe të hënën në orën 21:00.
Më i lirë të enjten ka qenë programi politik i Top Channel. Në sezonin e kaluar, si tek “Top Story” ashtu dhe tek të “Pa Ekspozuarit”, një sekondë reklamë kushtonte 2,700 lekë.
Lajmet
Nga printi, tek online e deri në televizion, gara për lajmin e fundit është gjithnjë e ashpër. Media mbetet sipas një anketimi të INSTAT, të përpunuar nga Monitor, burimi kryesor i të mësuarit informal për shqiptarët, ku televizioni luan rolin kryesor.
Në Klan TV, tarifa arrin në 22 euro (rreth 2,800 lekë), e pandryshuar në krahasim me sezonin e kaluar, duke u renditur si më i shtrenjti.
Top Channel sezonin e kaluar kishte çmime prej 2,400 lekë për një sekondë, përpara transmetimit të lajmeve kryesore të orës 19.30


















