Tahiri: Raporti i Komisionit Evropian nuk është dokument i opozitës, por vlerësim për gjendjen e Kosovës
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit ku po diskutohet Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, ka kritikuar gjendjen institucionale dhe ritmin e reformave në vend.
Tahiri ka thënë se raporti i Komisionit Evropian nuk duhet të shihet si dokument i ndonjë partie politike, por si një vlerësim i progresit të Republikës së Kosovës.
“Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 nuk është dokument i opozitës, nuk është dokument i PDK-së, i LDK-së, i Aleancës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike, është një vlerësim i progresit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se gjetjet e raportit duhet të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi, veçanërisht kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas Tahirit, përgjigjja e një qeverie serioze ndaj këtyre vlerësimeve duhet të jetë reflektimi dhe marrja e përgjegjësisë, e jo arsyetimi apo propaganda.
“Përgjigjja e një qeverie serioze nuk mund të jetë arsyetimi, duhet të jetë reflektimi. Nuk mund të jetë propaganda, duhet të jetë përgjegjësia”, ka thënë ai.
Lexo edheMusliu-Shoshi-Vetëvendosjes: Dy autostradat kryesore të Kosovës u ndërtuan gjatë qeverisjeve së PDK-së, ju e keni problem t’i mirëmbani
Më tej, Tahiri ka përmendur edhe disa nga gjetjet që, sipas tij, duhet të shqetësojnë qytetarët, duke veçuar paralizën e zgjatur institucionale, dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjen e kufizuar të ekzekutivit.
Ai ka vlerësuar se këto nuk janë vetëm vërejtje teknike, por paralajmërime për cilësinë e demokracisë në Kosovë.
“Demokracia matet me mënyrën se si ushtrohet pushteti mes dy palëve, matet me respektimin e Kushtetutës, me funksionimin e Kuvendit, me pavarësinë e institucioneve dhe gatishmërinë e shumicës për t’u përgjigjur para qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri. /Lajmi.net/





