Jahjaga: Siguria në Ballkanin Perëndimor është e ndërlidhur, dobësitë e brendshme mund të prodhojnë pasoja përtej kufijve

Institucionet e afta, aleancat e besueshme dhe qartësia strategjike janë tri elemente të domosdoshme për sigurinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në hapjen e Forumit për të Ardhmen e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor 2026.
Jahjaga ka paralajmëruar se krizat politike të pamenaxhuara, tensionet ndëretnike dhe dobësimi i besimit në institucione mund të kenë pasoja përtej kufijve të një shteti, duke theksuar se rajoni duhet të jetë vigjilent edhe ndaj dobësive që krijohen brenda shoqërive.
“Ky forum na vendos përballë një pyetje që sot është thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. A po ndërtojmë një rajon të bashkëpunimit, të frenimit strategjik dhe të sigurisë së përbashkët, apo rrezikojmë t’i rikthehemi cikleve të konfrontimit dhe të krizave? E kur e analizojmë, kjo nuk është një pyetje teorike, sepse një mjedis evropian i sigurisë tashmë ka ndryshuar rrënjësisht. E të gjithsesi ka dhënë efektet e saj edhe më gjerë, e sidomos tek ne në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Jahjaga shtoi se siguria në rajon nuk mund të shihet e ndarë nga zhvillimet në vendet e tjera, pasi krizat e brendshme mund të ndikojnë në stabilitetin e përgjithshëm.
“Nga përvoja ime në sektorin e sigurisë dhe më pas në drejtimin e shtetit, kam mësuar se siguria e qëndrueshme kërkon tri elemente që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra: e ato janë institucionet e afta, aleanca të besueshme dhe qartësi strategjike. E në këto rrethana të tria vazhdojnë të jenë relevante më shumë se çdo herë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin. Sepse siguria në Ballkanin Perëndimor është e ndërlidhur. Një krizë politike që nuk menaxhohet në kohë, një tension ndëretnik që instrumentalizohet, një institucion që humb besimin publik apo një vakum i sigurisë në një vend, shumë shpejt mund të prodhojë pasoja përtej kufijve të tij. Prandaj duhet të jemi vigjilentë jo vetëm ndaj kërcënimeve që vijnë nga jashtë, por edhe ndaj dobësive që krijojmë brenda vetes dhe të shoqërisë tona”, tha ajo.
Në këtë forum, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se Ballkani Perëndimor duhet të diskutojë më shumë për kontributin që mund të japë në sigurinë evropiane, e jo vetëm për çështjet e brendshme.
“Më duket se në këtë mjedis, Kosova dhe i gjithë rajoni nuk duhet të përqendrohen më aq shumë në çështjet e brendshme, por, përkundrazi duhet të shtrojnë pyetjen: Cili është kontributi i këtij rajoni në sigurinë evropiane? Dhe, nëse më lejoni, do t’i inkurajoja të gjithë që të diskutojnë se si, tashmë një gjeneratë pas luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, rajoni mund të kontribuojë realisht në sigurinë evropiane. Nga ky këndvështrim, integrimi evropian nuk është diçka që një vend, duhet ta fitojë, por është më tepër një parakusht që një vend të japë një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë. Ky është qëndrimi që dëgjoj nga shumë bashkëbisedues këtu në Kosovë. Ky është padyshim roli aktiv që do të dëshiroja ta shihja për këtë vend”, tha ai.
Lexo edheTahiri: Raporti i Komisionit Evropian nuk është dokument i opozitës, por vlerësim për gjendjen e Kosovës
Ndërkaq, udhëheqësi i Hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Ramadan Ilazi, tha se diskutimet do të përfshijnë ndikimin e aktorëve të huaj, dobësitë institucionale dhe sfidat e reja të sigurisë me të cilat përballet rajoni.
“Diskutimi ynë do të trajtojë balancën rajonale të sigurisë, ndikimin e padëshiruar të aktorëve të huaj dhe dobësitë brenda institucioneve dhe shoqërive tona që mundësojnë që ky ndikim të ketë sukses. Gjithashtu, do të diskutojmë se si Ballkani Perëndimor mund të kalojë nga të qenit kryesisht përfitues i sigurisë evropiane në një kontribuues të mirëfilltë të sigurisë dhe mbrojtjes së Evropës. Në fund, do të shqyrtojmë sfidat e reja për të cilat rajoni ende nuk është përgatitur mjaftueshëm, duke filluar nga rënia demografike dhe dobësimi i kapaciteteve institucionale, deri te presioni hibrid, ndërprerjet teknologjike dhe radikalizimi politik”, tha ai.
Granit Tërnava nga fondacioni “Konrad Adenauer” (KAS) theksoi rëndësinë e identifikimit dhe kundërshtimit të ndikimit të huaj, duke veçuar ndikimin e Rusisë dhe interesimin e saj për nxitjen e konflikteve në pjesë të ndryshme të botës.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi të konsiderueshme gjeostrategjike. Prandaj, identifikimi dhe kundërshtimi i ndikimit të dëmshëm të huaj meritojnë vëmendje të veçantë. Ndikimi i Rusisë dhe interesimi i saj për nxitjen e konflikteve në pjesë të ndryshme të botës janë veçanërisht shqetësuese për rajonin tonë. Parandalimi i ndërhyrjeve të tilla është thelbësor, teksa po i afrohemi përvjetorit të pestë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Vendet e rajonit duhet të jenë të qarta për drejtimin e tyre dhe ta shoqërojnë përkushtimin për integrimin evropian me vendime dhe veprime konkrete. Këto rrethana kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë dhe përkushtim të fortë për avancimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit euroatlantik”, tha ai.
Forumi për të Ardhmen e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor 2026 organizohet nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer” në Kosovë (KAS) dhe do të mbahet gjatë 11 dhe 12 nëntorit.



