Me rastin e 20-vjetorit të Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari me stafin komunal e të dy komunave, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të rënë në këtë betejë.
Me rastin e shënimit të kësaj date të rëndësishme, Kryetari Lladrovci dhe Kryetari Jashari morën pjesë në Akademinë Përkujtimore që u mbajt nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaqi, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Në këtë akademi, Kryetari Lladrovci në fjalimin e tij u shpreh se “sot, para 20 vitesh, filloi epoka e ballafaqimit të së vërtetës me gënjeshtrën, beteja në mes të mirës dhe të keqes, filloi Lufta ballë për ballë me armikun shekullor. Te gjashtë lisat, në mes të Likoshanit e Qirezit, filloi matja e forcave që do të shënonte fillimin e fundit të okupimit serb, trimave në këtë betejë ju printe Rasim Kiçina, i patremburi i betejave. Pas përleshjes frontale, kriminelëve do t’ju vinte krah makineria e rëndë por edhe helikopteri, duke goditur nga ajri. Ushtarëve tanë, në ndihmë do t’i vinte Legjendari Adem Jashari me bashkëluftëtarët tjerë që tashmë kishin krijuar zonat e rezistencës së armatosur”.
Kryetari Lladrovci ka theksuar se kjo betejë, ndezi zemrat e patriotëve në të gjitha trojet etnike, duke u ngritur njëra nga ushtritë më të suksesshme në botë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot, jemi këtu ta përkujtojmë këtë pjesë të historisë tonë të re, një betejë që do të ndizte zemrat e patriotëve anë e kënd trojeve tona dhe në gjithë botën, betejën e parë frontale, pas atyre të familjes Jashari. Këtë ditë okupatori, provuan ta mbysin rezistencën, por, ata ia hapën vetes varrin. Ne nuk do të ndaleshim më, deri në çlirimin e plotë, kohë që dëshmoi për ngritjen e një ushtrie e cila në analet e historisë do të evidentohet si një nga ushtritë më të suksesshme në botë, për ma pak se 18 muaj nga dalja publike, marshoi fitimtare në Prishtinën e çliruar. Këtë forcë të jashtëzakonshme, e keni bërë ju, të gjithë ju, familjet tuaja, prindërit e vëllezërit e motrat tuaja që nuk iu përkulën okupatorit jugosllav. Këtë Ushtri Çlirimtare, do ta përbënte edhe Familja Ahmeti, Rexhepi, Behrami, Nebihu, Gjeli, Sejdiu, Rama, Fazliu dhe të gjitha ato familje heroike si ajo Jashari, duke u bërë shembull në botë për rezistencë e vendosmëri, e mbi të gjitha për dashuri ndaj atdheut”.
Pas akademisë, delegacione nga Komuna e Drenasit dhe Skënderajt vazhdojnë me vizita në familje të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Betejën e Likoshanit dhe Qirezit.






