SHBA: Huaja prej 302 milionë dollarësh forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë huanë në vlerë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë si mbështetje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Ambasada amerikane në Tiranë shpërndau njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se huaja në kuadër të programit Për Financim të Huaj Ushtarak (FMF) do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane.
Sipas DASH-it, financimi do të forcojë gjithashtu aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e saj.
Në njoftim vlerësohet edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në politikën e jashtme.
“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është përafruar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Trump”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Shqipëria, por edhe Kosova, janë në mesin e vendeve themeluese të Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për paqe në botë.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ndërkaq, e cilësoi marrëveshjen një moment me rëndësi strategjike dhe një shprehje të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë.

Lexo edheTre të lënduar në një aksident trafiku në Dubravë të Istogut
Kuvendi i Shqipërisë e miratoi marrëveshjen e huasë më 27 korrik. Qeveria shqiptare e cilësoi atë një marrëveshje historike dhe dëshmi të besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s.
Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të ketë 48 muaj për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA).
Marrëveshja u votua vetëm nga shumica parlamentare. Opozita, ndonëse deklaroi se e mbështeste përmbajtjen e saj, nuk mori pjesë në votim, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur.
Pas miratimit, deputetë të Partisë Demokratike, në opozitë, e dërguan procedurën e votimit në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se marrëveshja u miratua me procedurë të përshpejtuar, në kundërshtim me Kushtetutën, pa iu vënë më parë në dispozicion deputetëve teksti për shqyrtim dhe pa u respektuar afati kushtetues njëjavor.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e dekretoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë më 30 korrik./REL














