Deputeti i ri nga Partia Demokratike e Kosovës, Sejdi Hoxha, e ka përgëzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për “manipulim perfekt”.
Në seancën plenare në Kuvend ku pritet të votohet Qeveria e re, Hoxha ka thënë se partia e Kurtit u transformua nga “Jo Negociata Vetëvendosje në Po Negociata Vetfundosje”, njofton Klan Kosova.
“Sot po diskutojmë për krijimin e një Qeverie që vjen përmes një koalicioni të panatyrshëm që është koalicion i dështimit [VV-LDK]”.
“Kurti për më shumë se një dekadë ka krijuar kauzë të rrejshme. Kjo kauzë filloi me idenë për bashkim kombëtar. Jemi dëshmitar se që nga 6 tetori, asnjë nga këto elemente nuk ishin prioritet i tij”.
“Kurti është një personalitet i shkëlqyer i manipulimit. Për manipulim perfekt ju përgëzoj Kurti – për atë që bëtë me pozitën e kryetarit të Kuvendit”.
“Për më shumë se 15 vjet, akuzuat partitë tjera politike për bashkëpunim me partitë e pakicave, por ju ende pa ardhur në pushtet mbajtët takime me ta. Nga Jo Negociata Vetëvendosje u transformuar në Po Negociata Vetfundosje”.