Rusia shantazhon Gjermaninë: Po e miratuat gazsjellësin, çmimet mund të ulen

Zëvendëskryeministri i Rusisë, Alexahnder Novak, ka thënë se certifikimi i gazsjellësit “Nord Stream 2”, që po e pret dritën e gjelbër nga rregullatori në Gjermani, do të mund të ndikonte në uljen e çmimit të gazit në Evropë.
Çmimet janë rritur në masë të ndjeshme si rezultat i rritjes së kërkesës, sidomos nga Azia, ndërsa niveli i rezervave është i ulët, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Çmimi në një bursë evropiane të energjisë në nëntor është rritur pothuajse për tetëfish që nga fillimi i vitit dhe të mërkurën e arriti rekordin e të gjitha kohërave – 150 euro për megavatë orë.
“Mendoj se janë dy faktorë, të cilët disi do të mund ta qetësonin situatën. E para, natyrisht, është përfundimisht kompletimi i certifikimit dhe drita e gjelbër sa më e shpejtë për furnizimet me gaz përmes gazsjellësit të kompletuar, Nord Stream 2”, tha Novak gjatë një takimi të zyrtarëve qeveritarë dhe shefave të kompanive të energjisë.

Lexo edheVdes në aksident trafiku autori i karikaturës së profetit Muhammed
Zyrtari i lartë rus shtoi se rritja e shitjeve të gazit në platformën elektronike të kompanisë “Gazprom” gjithashtu mund t’i qetësojë çmimet.
Gjatë takimit të zyrtarëve rusë, presidenti Vladimir Putin tha se Rusia ka qenë furnizuese e besueshme e Evropës me energji. Moska do t’i rrisë furnizimet për Evropën këtë vit, përfshirë shfrytëzimin e gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin e Ukrainës.














